Kanadaja e ka paralajmëruar Ambasadorin e Kinës për komisariatet policore klandestine

Ka vazhduar sërish këtë javë në Komisionin e Përhershëm mbi Procedurat dhe Çështjet e Brendshme të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit kanadez hetimi i aferës së ndërhyrjeve të paligjshme të Kinës në Kanada, aferë që u bë publike javët e fundit nga rrjeti Global News. Sipas Radio-Canada, që i referohet deklarimeve të një zyrtari të lartë, Ottawa i ka tërhequr vëmendjen disa herë Ambasadorit kinez në Kanada, Peiwu Cong, pasi është mësuar fakti mbi ekzistencën e të ashtuquajturve komisariate policie klandestine në zonën e Greater Toronto Area.
“Qeveria e Kanadasë ka insistuar zyrtarisht që qeveria kineze, duke përfshirë Ambasadorin dhe stafin e tij, të japin llogari për të gjitha aktivitetet në Kanada që dalin jashtë kuadrit ligjor të Konventës së Vjenës dhe të marrin masa që ato të ndërpriten menjëherë”, ka pohuar të martën në mbrëmjë (29.12.) Drejtori i Përgjithshëm për Azinë Verilindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Weldon Epp. Në përgjigjen e tij ndaj pyetjeve të zëdhënëses së Partisë Konservatore për Çështjet e Sigurisë Publike, Raquel Dancho, Epp sqaroi se Ottawa, parashikon mundësinë për të marrë “vendime të tjera”, në varësi të reagimit të Kinës. Diplomati kanadez megjithatë refuzoi të jepte detaje të mëtejshme në publik.
Ambasadori kinez në Ottawa Peiwu Cong
Nga ana e tij, kryeministri Justin Trudeau, ashtu siç ka vepruar ditët e fundit lidhur me këtë temë, i shmangu edhe dje (01.12) të gjitha pyetjet që iu adresuan, duke përfshirë edhe pyetjen nëse ai ishte në dijeni të ekzistencës së këtyre komisariateve përpara se një OJQ e huaj t'ia zbulonte atë publikut të gjerë dhe cilat opsione po shqyrtonte Kanadaja nëse Kina nuk i mbyll ato. “Shërbimet tona të inteligjencës e ndjekin situatën dhe janë në dijeni, më japin rregullisht informacion për ndërhyrjet e qeverive të ndryshme të huaja kundër komuniteteve kanadeze” ishte pohimi i tij evaziv gjatë një konference për shtyp në London, Ontario.
Të dhënat shqetësuese lidhur me aktivitetet e Kinës në Kanada po e sensibilizojnë gjithnjë e më tepër opinionin publik. Ishte rrjeti Global News që raportoi, duke cituar burime të paidentifikuara, në fillim të këtij muaji, se kryeministri Trudeau ka qenë i informuar qysh në janar për një të ashtuquajtur ndërhyrje kineze në fushatën zgjedhore të vitit 2019, përmes fondesh që dyshohet se kanë financuar të paktën 11 kandidatë për deputetë. Edhe Policia Federale Kanadeze (RCMP) konfirmoi të marten (29.12.) se janë duke u zhvilluar hetime nga një grup i posaçëm mbi “ndërhyrjet nga aktorë të huaj”, përfshi dhe qartësimin e faktit se çfarë tentativash mund të ketë bërë Kina për të ndikuar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019.
Ambasada kineze Ottawa
Nga ana e saj, Radio-Canada është përpjekur të marrë shpjegime nga pronarët e tre objekteve të përcaktuara si komisariate të mundshme policie në raportin e OJQ-së spanjolle Safeguard Defenders. Në një nga adresat e përmendura ndodhet një market i vogël ushqimor, ku një punonjës deklaroi se nuk kishte asnjë lidhje me regjimin kinez. Sa i përket dy adresave të tjera - një rezidencë dhe një ndërtesë tregtare - askush nuk iu përgjigj kërkesës së Radio-Canada. Nga ana e saj, ambasada kineze në Kanada ka mohuar tashmë ekzistencën e këtyre komisariateve të dyshuara të policisë në tokën kanadeze. Ambasada i ka shpjeguar para disa ditësh CBC se këto zyra ishin pika shërbimi për shtetasit kinezë jashtë vendit.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers