Aktualitet

Kanada - Lehtësohen rregullat për familjet e punëtorëve të huaj të përkohshëm

Kanadaja ka vendosur të lehtësoje rregullat që lidhen me disa kategori imigrantësh me leje qëndrimi të përkohshme pune. Kësisoj, prej janarit 2023, anëtarët e tyre të familjes do mund të punësohen gjithashtu. Aktualisht, vetëm familjet e specialistëve me kualifikim të lartë e kanë këtë të drejtë.

Bashkëshortët dhe fëmijët në moshë pune të punonjësve të huaj të përkohshëm në pozicione pune me paga të larta do mund të aplikojnë për një leje pune të hapur. Këto pozicione me pagesë të lartë ofrojnë një tarifë për orë të barabartë ose mbi pagën mesatare për orë, që varion nga një provincë në tjetrën.

Ky rregull, që parashikohet të jetë në fuqi për dy vjet, do përfshijë si personat që mbërrijnë në Kanada përmes International Mobility Program, ashtu edhe ata që vijnë me Temporary Foreing Worker Program. Më pas, në një datë ende të papërcaktuar, të njëjtën gjë do mund ta bëjnë edhe familjet e atyre që mbajnë poste me paga të ulëta. Ndërkohë, gjasat janë që ky rregull pas konsultimit me provincat dhe aktorët e interesuar, të përfshijë dhe familjet e punëtorëve të huaj të përkohshëm në sektorin e bujqësisë

Sipas parashikimeve të qeverisë federale, ky fluks i krahut të punës do të bëjë të mundur reduktimin e e mungesës së fuqisë punëtore, veçanërisht në sektorin e shërbimeve, turizmit dhe shëndetësisë dhe nga këto masa pritet të përfitojnë rreth 200,000 imigrantë me leje të përkohshme pune. Aktualisht, sipas shifrave zyrtare të Statistics Canada, në rang vendi janë të disponueshëm rreth një million vende pune në sektorë të ndryshëm.

Rregullat e reja që do hyjnë në fuqi në janarin e ardhshëm, u bënë publike dje (02.12.) gjatë një konference për shtyp nga ministri federal i Imgracionit Sean Fraser dhe Ministri federal i Turizmit Randy Boissonnault.

Për ministrin e Emigracionit Sean Fraser, i cili gjithashtu deklaroi se po bashkëpunon intensivisht me provincat për të zbutur mungesën e fuqisë punëtore, realiteti kanadez në këtë aspekt është i thjeshtë: “Kanadaja ka nevojë për më shumë njerëz, për arsye ekonomike, demografike dhe sociale”. Sipas tij, ndryshimet do ta bëjnë më mikpritës sistemin kanadez të imigracionit, sepse do t’u evitojë punonjësve të huaj të përkohshëm qëndrimin larg familjeve kur të vijnë përkohësisht në Kanada për të punuar.

©Flasshqip.ca

Foto: Radio-Canada/David Bajer