Aktualitet

Java Kanadeze - Lajme shkurt 4 dhjetor 2022

 

Tofino - British Columbia

 

-British Columbia, komuniteti autokton Heiltsuk drejt sovranitetit energjitik

-Alberta, Universiteti i Calgary-t synon diversifikimin e trupës mësimdhënëse

-Québec, gati nisja e punimeve të COP15 ku do marrin pjesë 20,000 të ftuar nga 196 shtete

-Ontario, provinca refuzon marrjen përsipër të mirëmbajtjes së Gardiner dhe DVP në Toronto

-Nova Scotia, qeveria provinciale projekton dyfishimin e popullsisë deri më 2060

 

British Columbia - Komuniteti autokton Heiltsuk që ndodhet në zemër të fjordeve në bregun qendror të British Columbia, aktualisht po punon për zvogëlimin e ndotjes nga karboni dhe përmes disa projekteve shpreson jo vetëm të realizojë sovranitetin energjetik, por edhe të shërbejë si model për tranzicionin drejt energjive të rinovueshme. Sipas Gahtuwos Brown, drejtoreshë e komunikimit pranë Ekipit për Aksionin Klimatik të Heiltsuk, projekti i komunitetit të saj është shpresëdhënës. I vendosur në Bella Bella, në ishullin Campbell, komuniteti Heiltsuk prej 1600 banorësh është i aksesueshëm vetëm me anije ose avion. Ekipi fillimisht identifikoi si prodhuesin më të madh të karbonit sistemin e ngrohjes dhe po punon për të zëvendësuar kaldajat me mazut me termopompa që funksionojnë me energji elektrike ose diellore. Përafërsisht 75% e shtëpive në Bella Bella tani janë të pajisura me këto sisteme dhe është konstatuar se çdo familje kursen mesatarisht 1500 dollarë në vit për koston e ngrohjes dhe gjeneron pesë ton më pak emetime të gazeve serrë në vit për familje. Rinovimet përfshijnë gjithashtu izolim më të mirë të shtëpive për të ruajtur nxehtësinë.

Gahtuwos Brown

Alberta - Universiteti i Calgary-t synon të përfitojë nga plan punësimesh që pritet të realizohet gjatë tre viteve të ardhshme për të diversifikuar trupën mësimdhënëse. Institucioni planifikon të rekrutojë 45 profesorë të rinj dhe të fokusohet kryesisht në rekrutim tek grupet e nënpërfaqësuara si gratë, popujt autoktonë, personat e racizuar dhe ata me aftësi të kufizuara. Nisma vjen pas publikimit vitin e kaluar të një raporti mbi barazinë, diversitetin dhe gjithëpërfshirjen, i cili vuri në dukje mungesën e profesorëve nga këto grupe në pothuajse të gjitha fakultetet. Malinda Smith, Zv. rektore dhe përgjegjëse për anën kërkimore pranë Zyrës së Barazisë, Diversitetit dhe Gjithëpërfshirjes në Universitin e Calgary-t, i ka deklaruar Radio-Canada se të parët që do përfitojnë nga diversiteti i profesoratit do jenë studentët. Sipas saj, Alberta ka një popullsi të larmishme ndaj dhe ky diversitet duhet të reflektohet dhe në kolektivin mësimdhënës universitar.

Québec - Montreal eshtë gati për ceremoninë e hapjes së COP15, samiti më i madh i organizuar deri më sot për biodiversitetin, ku do të mblidhen delegatë nga 196 vende të botës. Sipas Environment and Climate Change Canada, në konferencën që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve të metropolit frankofon do të marrin pjesë rreth 20,000 vetë. Punimet do të nisin zyrtarisht të martën pasdite, 6 dhjetor. Kryeministri Justin Trudeau, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, Shefi i komunitetit autokton Onondaga Tadodaho Sid Hill dhe Ministri i Mjedisit i Kinës Huang Runqui, do përshëndesin auditorin. Kujtojmë së Kina është vendi organizator ndërsa Kanadaja është vendi pritës, për shkak se rregullat e rrepta të izolimit anti-Covid të vendosura nga Pekini nuk do mundësonin një pjesëmarrje kaq të gjerë. Pavarësisht tensioneve diplomatike midis Pekinit dhe Ottawa, delegacionet e secilit vend do duhet të punojnë së bashku gjatë ditëve të negociatave që parashikohet të konkludojnë, më 19 dhjetor, në miratimin e Kornizës Globale të Biodiversitetit për dekadën 2020-2030. Një nga objektivat kryesorë të këtij samiti është që 196 vendet të arrijnë një marrëveshje për të ndalur rënien e biodiversitetit duke mbrojtur 30% të tokës dhe oqeaneve deri në vitin 2030.

Ontario - Pas kërkesës së kryetarit John Tory për të lehtësuar barrën fiskale të bashkisë, duket se qeveria provinciale nuk do ta marrë përgjegjësinë e mirëmbajtjes së dy autostradave kryesore të Torontos. John Tory deklaroi në fillim të javës që kaloi se qyteti duhet të paguajë faturën e mirëmbajtjes për autostradat Gardiner dhe Don Valley, në kushtet kur pothuajse gjysma e drejtuesve të automjeteve që i përdorin ato jetojnë diku tjetër dhe për këtë arsye nuk paguajnë taksa në qytet. Sipas tij, Gardiner dhe Don Valley janë dy autostradat e vetme në provincë që janë në pronësi dhe mirëmbahen me fonde bashkiake. Ndërkohë, të dhënat e Bashkisë Toronto, tregojnë se kostot vjetore të mirëmbajtjes për dy autostradat janë 16 milionë dollarë, ndërsa 2.2 miliardë dollarë janë buxhetuar për 10 vitet e ardhshme për rehabilitimin e Gardiner. Aktualisht metropoli duhet të përballet me një deficit buxhetor prej 703 milionë dollarësh, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të lidhura me pandeminë. Ndërkohë, ligji i ri provincial i strehimit, i cili ul tarifat që ndërtuesit u paguajnë bashkive për të financuar infrastrukturën, pritet të krijojë një mungesë të ardhurash prej 230 milionë dollarësh në buxhetin e qytetit. Në një konferencë shtypi të mërkurën (30.11.), John Tory deklaroi se synon të nisë një diskutim me provincën për të studiuar opsionet se si qytete si Toronto mund të mbledhin më shumë fonde. Kur u pyet nga një gazetar nëse kjo do të thoshte vendosje e tarifave në autostrada, kryetari i bashkisë përmendi idenë për t'ia lënë provincës përgjegjësinë për to. Por Ministria e Transporteve e refuzoi këtë kërkesë. “Qeveria jonë nuk do të marrë përsipër DVP apo autostradën Gardiner dhe nuk do të vendosë tarifa të reja në rrugët e Ontarios”, u shpreh në një mesazh drejtuar CBC zëdhënësja e ministrisë Dakota Brasier.

Nova Scotia - Përmes një strategjie marketingu dhe promovimi për të tërhequr të ardhur të rinj, qeveria e Nova Scotia ka shpallur se synon dyfishimit e popullsisë së provincës deri në vitin 2060. Vitin e kaluar, për herë të parë në histori, numri i banorëve aty e tejkaloi shifrën një milion. Për ta bërë të mundur realizimin e kësaj srategjie do të duheshin rreth 25,000 vetë në vit më shumë, ndërkohë që vitin e kaluar, Nova Scotia tërhoqi një rekord prej 29,000 imigrantësh. Me një krizë strehimi që zvarritet me vite, sipas saj dhe një sistem të dështuar të kujdesit shëndetësor, opozita liberale në Halifax e ka vënë në dyshim ambicien e qeverisë progresiste-konservatore të Tim Houston. Aktualisht në provincën atlantike 11% e popullsisë nuk ka mjek familje dhe shkollat ​​janë të mbipopulluara. Megjithatë, zëvendësministrja për Emigracionin në qeverinë e Tim Houston, Ava Czapalay, e cituar nga Radio-Canada, beson se emigrantët mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve të aksesit në kujdesin shëndetësor dhe mungesës së strehimit, sepse parashikohet të nxitet ardhja e specialistëve nga fusha e shëndetit dhe e ndërtimit.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada