Aktualitet

Kanada - Sipas ekspertëve, rritja e kostos së ushqimeve do vazhdojë edhe në 2023

Kostoja e mallrave ushqimore në Kanada u rrit më shumë se sa parashikohej në vitin 2022 dhe çmimet do vazhdojnë të rriten edhe në vitin 2023 nga 5 deri në 7%. Këto janë konkluzionet e Raportit Vjetor të Çmimeve të Ushqimit që u publikua dje (05.12.) nga Universiteti Dalhousie (Nova Scotia), Universiteti i Guelph (Ontario), Universiteti i British Columbia dhe Universiteti i Saskatchewan. I njëjti raport, vitin e kaluar parashikonte një rritje prej 5-7% për vitin 2022, por në realitet çmimet që nga shtatori 2022 u rritën me 10.3%, sidomos produktet e pastiçerisë (14.8%), perimet (12.7%) dhe frutat (11.4%).

Për vitin 2023, raporti parashikon që një familje me katër persona do ketë një shpenzim vjetor ushqimor rreth 16,290 dollarë, që do të thotë rreth 1,066 dollarë më shumë se në vitin 2022. Më konkretisht, janë çmimet e perimeve që pritet të rriten më shumë, nga 6 deri në 8%, të produkteve të pastiçerisë, të produkteve të qumështit dhe mishit nga 5 deri në 7%, ndërsa çmimet e frutave nga 3 deri në 5%.

Sylvain Charlebois

Sylvain Charlebois, profesor i Furnizimit, Shpërndarjes dhe Politikave Agro-Ushqimore në Universitetin Dalhousie, i cituar nga Radio-Canada, beson se diku nga mesi i vitin 2023, “situata mund të stabilizohet disi dhe norma e përgjithshme e inflacionit ta tejkalojë normën e inflacionit ushqimor. Kjo sepse po konstatohet që zinxhirët e furnizimit po përmirësohen, afatet janë më të shkurtra dhe kostot e transportit po ulen pak nga pak”. Sipas tij, inflacioni i çmimeve të ushqimeve, që ka arritur nivele të papara në 40 vjet, shpjegohet veçanërisht me situatat e pafavorshme klimatike, pandeminë dhe mungesën e fuqisë puntore, luftën në Ukrainë, çmimet e larta të naftës dhe rënien e dollarit kanadez në kursin e këmbimit.

Profesori nga Nova Scotia e ka drejtuar gjithashtu gishtin nga taksa e karbonit dhe ngre pikëpyetje mbi atë se sa kjo politikë ka ndikuar mbi çmimet e ushqimeve dhe objektivin për t’i mbajtur ato në nivele të përballueshme për xhepin e shumicës së qytetarëve. “Është e rëndësishme të arrihen objektivat e Marrëveshjes së Parisit, por kjo nuk duhet të kompromentojë as sigurinë ushqimore të Kanadasë dhe as përballueshmërinë e kostove të ushqimit nga kanadezët”, ka theksuar ai.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada