Kanada - Céline Dion shtyn rifillimin e turneut botëror për shkaqe shëndetësore

Diva kanadeze me famë botërore Céline Dion, ka njoftuar dje (08.12.) se për shkaqe shëndetësore nuk do të jetë në gjendje të rifillojë turneun e saj botëror të shfaqjeve, që ishte parashikuar të niste shkurtin e ardhshëm në Evropë. Këngëtarja e madhe, që në 30 mars 2023 do festojë 55 vjetorin, vuan nga një sëmundje e rrallë neurologjike që quhet Sindroma Stiff-Person.
“Unë gjithmonë jap maksimumin në koncertet e mia, por për momentin nuk jam në gjendje ta bëj këtë”, ka deklaruar ajo në një video të regjistruar në dy gjuhë, anglisht dhe frengjisht, të publikuar në rrjetet sociale.
Në mesazhin e saj shumë emocionues, artistja e madhe tregoi se sëmundja në fjalë, që sipas statistikave prek afërsisht një në një milion njerëz, është shkaku i spazmave muskulare që e mundojnë prej shumë kohësh dhe ka ndikuar në jetën e saj të përditshme, veçanërisht kur ajo ecën dhe kur përdor kordat vokale. Një terapist mjekësor e ndihmon atë çdo ditë gjatë stërvitjeve fizike që synojnë rikthimin e energjive dhe rezistencës.
Për momentin shkaqet e kësaj sëmundjeje neurologjike nuk njihen saktësisht. Mendohet se është një sëmundje auto-imune. Sindroma Stiff-Person u bë e njohur në vitin 1956, pas një artikulli të publikuar nga dy mjekët neurologë amerikanë F.P. Moersch dhe H.W. Woltman të cilët e kishin vëzhguar atë tek 14 pacientë gjatë një periudhë 32 vjeçare. Për këtë arsye ajo njihet edhe si Sindroma Moersch-Woltman.
©Flasshqip.ca
Foto: The Canadian Press/Jacques Boissinot