Java Kanadeze - Lajme shkurt 11 dhjetor 2022
Lokomotiva 110 vjeçare e Christmas Express (BC)
-British Columbia, rinis aktivitetin treni me avull Christmas Express i Kettle Valley
-Québec, qeveria jep 6 milionë dollarë ndihmë urgjente për bankat ushqimore
-Nova Scotia, përkujtohet 105 vjetori i tragjedisë së 6 dhjetorit 1917 në Halifax
-Ontario, arrihet marrëveshja në parim mes qeverisë dhe punonjësve të arsimit
British Columbia - Pas një pushimi pandemik dy vjeçar, ka rinisur të funksionojë në British Columbia treni i Krishtlindjes Christmas Express, i linjës hekurudhore me avull Kettle Valley. Të enjten që kaloi (08.12.), në një atmosferë festive, lokomotiva me avull 110-vjeçare i përshëndeti me fishkëllimën e saj pasagjerët e ardhur në stacionin Summerland, nga ku treni rinisi udhën për herë të parë që nga viti 2019. Drejtori i kompanisë Kettle Valley, Tom Burley, i konfirmoi Radio-Canada se janë shitur të gjitha biletat për 24 udhëtimet e planifikuara këtë muaj. Këto udhëtime përafërsisht një orë, përshkojnë 10 miljet e mbetura ende funksionale të linjës së vjetër hekurudhore 500 kilometra të Kettle Valley, që shtrihej midis Hope dhe Midway. Udhëtimi shoqërohet me muzikë Krishtlindje dhe fëmijët gjithashtu takohen me Santa-Claus.
Québec - Nisur nga nevojat akute të bankave ushqimore, qeveria provinciale e Québec u ka akorduar atyre dje (10.12.) një ndihmë urgjente prej gjashtë milionë dollarësh që do të ndahet proporcionalisht mes 32 institucioneve që përbëjnë rrjetin e Food Banks. Në Québec, qysh nga fillimi i pandemisë Covid-19 kërkesa për furnizmim me ushqime nga bankat ushqimore është rritur në masën 50%. Kjo rritje e kërkesës është shkaktuar veçanërisht nga inflacioni galopant dhe fakti që pensionet e të moshuarve dhe pagat e ulëta të studentëve nuk ndjekin rritjen e çmimeve, që aktualisht është mesatarisht rreth 7%. Ndihma urgjente financiare do të injektohet konkretisht në të gjithë territorin për 1200 organizma komunitare që furnizohen nga bankat ushqimore. Ndërkohë, qershorin e kaluar, qeveria e François Legault pat akorduar gjithashtu pesë milionë dollarë për bankat ushqimore provincial, një pjesë e të cilave mbështeten shumë në mbledhjen e fondeve, por fushata më e njohur vjetore e grumbullimit të fondeve, ajo e organizuar nga mediat, këtë vit arriti të grumbullojë shumë më pak fonde se viti i kaluar. Pa diskutim që inflacioni ka rolin e vet në këtë drejtim.
Nova Scotia - Edhe pse ka pak që jetojnë ende sot nga të mbijetuarit e eksplozionit të tmerrshëm të 6 dhjetorit 1917 në Halifax, pasardhësit e tyre vazhdojnë rregullisht ta kujtojnë ketë tragjedi duke u mbledhur çdo vit. Serish sivjet ata u mblodhën të hënën e kaluar (05.12.) për të nderuar viktimat. Pikërisht në mes të Luftës së Parë Botërore, në portin e tejngarkuar me aktivitet të Halifax, ndodhi ngjarja më vdekjeprurëse në historinë e Kanadasë. Dy anije, transportuesi francez i lëndëve eksplozive Mont Blanc dhe anija norvegjeze cargo Imo, u përplasën me njëra-tjetrën. Mont Blanc u përfshi nga flakët dhe pas rreth 20 minutash ndodhi eksplozioni që shkaktoi në total rreth 2000 të vdekur dhe mbi 9000 të plagosur. Pothuajse e gjithë pjesa veriore e qytetit u rrafshua.
Ontario - Qeveria e Ontarios ka arritur një marrëveshje paraprake me Këshillin e Punonjësve të Arsimit të Ontarios. Lajmi u bë i ditur sot (11.12.) nga ministri i provincial i Arsimit, Stephen Lecce, njëkohësisht dhe nga përfaqësues të sindikatave. Marrëveshja u arrit pas disa ditësh negociata mes Shoqatës së Bordeve të Shkollave Publike të Ontarios, Shoqatës së Administratorëve të Shkollave Katolike të Ontarios, Këshillit të Shoqatave të Punëdhënësve dhe qeverisë provinciale. Kushtet e marrëveshjes së arritur nuk u deklaruan para ratifikimit. Anëtarët e sindikatës do duhet të informohen për kushtet e marrëveshjes gjatë javëve të ardhshme përpara se ta votojnë atë. Këshilli i Punonjësve të Arsimit të Ontarios është një organ negociator i përbërë nga gjashtë sindikata që përfaqësojnë mijëra punonjës të bordeve të shkollave publike dhe atyre katolike në të gjithë provincën, duke përfshirë punonjës të edukimit si dhe punëtorë të mirëmbajtjes dhe ndërtimit.
Stephen Lecce
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada, The Canadian Press