Ottawa – Një foto shqiptarësh sa njëmijë fjalë në ekspozitën We all become stories
- Nga: Shpresa Loshaj
Para pak javësh, në Ottawa Art Gallery u inaugurua ekspozita e arteve pamore bashkekohore “We all become stories”. Aty kanë ekspozuar krijimet e tyre rreth 200 artistë nga kryeqyteti i Kanadasë, mes tyre edhe fotografja dhe videoproducentja e njohur Cheryl Pagurek (brezi i tretë i një familjeje emigrantësh polakë), e prezantuar me një cikël prej tetë punimesh më titullin “A day in a life”.
Në njërin prej punimeve, “Refugjatët shqiptarë largohen nga Kosova”, është mbivendosur mbi pamjen e një veture me derë të hapur dhe një çante dore, një foto refugjatesh e realizuar gjatë periudhës së Luftës në Kosovë në vitin 1999. Një foto që flet sa njëmijë fjalë, e cila tashmë është përfundimisht pjesë e koleksionit të Ottawa Art Gallery.

Në komentin shoqërues, thuhet ndër të tjera, se “krizat e refugjatëve mbeten një sfidë humanitare në kohë luftrash, si pasojë e të cilavë në kohët moderne më shumë se 64 milionë njerëz janë detyruar me forcë të lënë shtëpitë e tyre. Fotoja e refugjatëve shqiptarë i jep një dimension individual eksperiencës fatkeqësisht të përhapur të braktisjes së vendlindjes për ti shpëtuar konflikteve të armatosura. Ky kolazh është një nga veprat më përfaqësuese të praktikës artistikë të autores që e merr frymëzimin nga buletinet e lajmeve ndërkombëtare, mediat sociale apo arkivat filmike”.
Cheryl Pagurek
Ekspozita "We all become stories" do të jetë e hapur deri më 16 Shtator 2018. Hyrja është falas.












