7 hapa të rëndësishëm për imigrantët e rinj kur mbërrijnë në Kanada

Mirë se erdhët në Kanada! Si imigrantë të rinj tashmë ju duhet të ndërmerrni disa hapa thelbësorë për të siguruar një tranzicion dhe integrim të qetë. Është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për listën e gjërave që duhet të plotësohen pas mbërritjes. Ja disa nga hapat më të rëndësishëm të renditur më poshtë.
- Merrni numrin e sigurimeve shoqërore (SIN)
Sapo të mbërrini, aplikoni për numrin e sigurimeve shoqërore (SIN) te Service Canada. Ky numër unik identifikimi me nëntë shifra është thelbësor për të punuar, për të paguar taksat dhe për të aplikuar për shërbime të ndryshme që ofrohen nga shteti. Ju duhet të paraqisni dokumente identifikimi të lëshuara nga zyra e imigrimit në Kanada ose konfirmimin e qëndrimit dhe vizën në pasaportë.
- Kuptoni sistemin bankar kanadez
Njihuni me sistemin bankar kanadez, duke përfshirë llojet e llogarive të disponueshme, tarifat bankare, opsionet e bankës online dhe masat e sigurisë. Këto njohuri do t'ju ndihmojnë të merrni vendime dhe të menaxhoni me efikasitet financat tuaja. Më pas mund të hapni një llogari bankare. Zgjidhni një institucion që ofron shërbime të përshtatshme për të sapoardhurit, si p.sh. shërbime shumëgjuhëshe dhe paketa llogarish për të sapoardhurit me oferta me leverdi.
- Ndërtoni historinë e kredisë
Filloni të ndërtoni historinë tuaj të kreditit sa më shpejt të jetë e mundur. Aplikoni për një kartë krediti dhe bëni pagesa të rregullta për të krijuar një profil të besueshëm. Një histori e mirë krediti do të jetë e dobishme kur aplikoni për kredi ose merrni me qira një apartament. Monitoroni ecurinë tuaj të kreditit përmes zyrave kryesore, Equifax dhe TransUnion.
- Krijoni profilin e veprimeve bankare online
Regjistrohuni në “online banking” për të menaxhuar llogaritë tuaja nga kudo. Kjo ju lejon të shikoni bilancet, të bëni transferta, të paguani faturat dhe të monitoroni transaksionet. Bankimi online është i sigurt, kursen kohë dhe përdoret gjerësisht në Kanada. Ju mund të kontrolloni llogaritë tuaja bankare dhe gjendjen e kartës së kreditit në çdo kohë.
- Regjistrohu në kujdesin shëndetësor
Aplikoni për një kartë shëndetësore provinciale për të aksesuar shërbimet thelbësore të kujdesit shëndetësor. Çdo provincë në Kanada ka sistemin e saj, prandaj hulumtoni kërkesat specifike për provincën ku jetoni. Shteti paguan për shumë aspekte të kujdesit shëndetësor duke përdorur paratë e mbledhura nga taksat. Ju paguani vetëm për disa shërbime kur vizitoni një mjek, klinikë ose spital.
- Arsimi
Nëse keni fëmijë të moshës shkollore, hulumtoni sistemin lokal shkollor dhe regjistrojini ata në një shkollë të përshtatshme. Sigurohuni që të keni dokumentet dhe informacionin për procesin e regjistrimit. Nëse planifikoni të ndiqni studimet pas ciklit të mesëm, kini parasysh se shumica e institucioneve kanë afate të përcaktuara dhe tarifa aplikimi të pakthyeshme.
- Strehimi
Pasi të keni mbërritur në Kanada, një nga nevojat tuaja kryesore është një vend i përkohshëm për të qëndruar derisa të mund të merrni me qira ose të blini një shtëpi afatgjatë. Nëse nuk keni familje ose miq në Kanada tek të cilët mund të qëndroni, konsideroni një hotel ose bujtinë.
Dihet se zhvendosja në një vend të ri shoqërohet me stres negativ e pozitiv, por gjërat bëhen më të lehta sapo të ndërmerrni hapat fillestarë thelbësorë. Është e rëndësishme të qëndroni të informuar, të kërkoni ndihmë kur është e nevojshme dhe të jeni proaktiv në procesin tuaj të integrimit.
©FlasShqip.ca