Discovery

Kanada – 10 vende të bukura që duhen vizituar në dimër

Kanadaja është shumë e njohur për pasurinë e peizazheve te veta, rezervat fantastike natyrore si dhe për densitetin e lartë të siperfaqeve pyjore. 10% e sipërfaqes pyjore të botës gjendet në territorine saj. Por ky vend ështe i njohur gjithashtu edhe për bukurinë e peizazheve dimërore. Sipas Belairdirect Magazine, lista prej 10 vendesh që propozon ajo për tu vizituar në dimër mund të ishte shume e gjatë. Vetë lexuesit mund ta shtojnë atë përmes sugjerimeve te tyre.

                    

  1. Whistler – British Columbia

Amatorët e shetitjeve në ajër të pastër do ta adhurojnë këtë vend i cili u bë i famshëm pas Lojërave Olimpike të vitit 2010. Qyteti merr një pamje me të vërtetë festive në dimër dhe aty mund te provohen të gjitha zbavitjet dhe sportet dimërore. Bukuria e peizazhit duket se të lë pa frymë. Ne muajin prill çdo vit aty zhvillohet Festivali ndërkombëtar i skive dhe i snowboard-it, një kombinim aktivitetesh sportive dhe koncertesh në natyrë më i madhi në Kanada.

  1. Edith Cavell mountain – National parc Jasper, Alberta

Ky mal, konsiderohet ndër më të bukurit në Kanada. Gjatë dimrit aty mund të shijohen pistat e skive të të gjitha llojeve dhe shkallëve të vështirësisë. Akullnaja Angel në pjesën veriore të tij konsiderohet një mrekulli gjeologjike.

  1. Bow valley – Banff, Alberta

Masivet shkëmbore në dimer ofrojnë një dekor të vertetë ëndrrash. Mali me emrin Sulphur, në luginen Bow te rajonit të Banff në Alberta eshtë një prej tyre. Shumë amatorë të alpinizmit preferojnë ngjitjen drej majës së tij. Megjithësë ngjitje jo e lehtë, mundimi ia vlen. Gjatë dimrit në rajonin Banff zhvillohet dhe Festivali Winterstart me parada, gara me ski, shfaqje teatrore dhe koncerte.

             

  1. Iqaluit – Nunavut

Dimri në Iqaluit eshtë sinonim i qiellit me yje pa fund dhe peizazheve surrealiste. Te veshur mirë me kostumet e tyre tradicionale, Inuitët lëvizin me slita të tërhequra nga qentë. Një shëtitjë e tillë në këtë pafundësi bardhësie ku mbretëron heshtja është vertetë fantastike. Aty mund te vëzhgohen dhe agimet boreale dhe gjatë rrugës mund te kryqëzohesh me drerët e mëdhenj. Evenimenti që organizohet aty në muajin prill është Festivali Toonik Tyme për nder të rikthimit të diellit dhe stinës së pranverës. Në program ai ka ndërtim të Igloo-ve (banesat karakteristike te vendasve), kurse drejtimi motorri dëbore apo shijim të gatimeve inuite tradicionale.

 

  1. Niagara Falls – Niagara, Ontario

Ujëvarat e Niagarës tërheqin gjithmonë shumë vizitorë por ato bëhen akoma më madhështore në dimër, sidomos në periudhën e temperaturave shumë te ulëta. Kur shikon kaskadën në pjesën më të madhe të ngrirë të krijohet përshtypja që rrjedhja e ujit ka ndalur totalisht. Një spektakël i jashtëzakonshëm. Aty në dimër organizohet Festivali i dritave që e shndërron gjithë ambjentin në diçka magjike.

  1. Rideau Canal – Ottawa, Ontario

Ndofta pak nga ju e dinë që në Ottawa ndodhet pista natyrale më e madhe në botë e patinazhit. Madhështore, ajo shtrihet rreth 7 kilometra pikërisht mbi Rideau Canal. Mos e lini pa provuar.

  1. Québec city - Québec

Qyteti i Québec-ut në dimër është një mrekulli më vete. Kështjella Frontenac duket sikur del drejt e nga legjendat. Romantizmi dhe sharmi i rrugëve te qytetit të vjetër kërkon shumë mjeshtëri të përshkruhet. As aktivitetet nuk mungojnë: Hoteli i akullit, slitat me qen, ujëvara Montmorency e ngrirë … Ndërsa Karnavali i Québec-ut me një program shumë të pasur mbetet festivali dimëror më i madh në bote.

  1. Chic-Chocs mountains – National parc Gaspésie, Québec

Malet Chic-Chocs, një “thesar i fshehtë” i “La belle province” ofrojnë peizazhe përrallore nën petkun e një dëbore të bollshme. Aty të mbetet gjithmonë një gjë e re për tu zbuluar edhe në se i ke vizituar shpesh. Mbeten gjithashtu një terren shume i përshtatshëm për të gjitha sportet malore të dimrit. Në se shkoni, mos lini pa shijuar bukurinë e bujtinës Auberge de montagne des Chic-Chocs, 4 yje, ku shkohet vetëm në këmbë.

  1. National Parc Mont-Valin - Saguenay

Dëborë pa fund që e rrethon dhe pamje të jashtëzakonshme … ky është dekori i Parkut kombëtar Mont-Valin. Një masiv impozant me rreth 15 maja mbi 800 metra të larta. Vendi ideal për amatorët e skive. Në zemër te masivit ndodhet edhe Lugina e Fantazmave me bukuri të rralla.

  1. Cap Spear – Newfoundland and Labrador 

Në se doni të shijoni ndjenjën e jashtëzakonshme të të qenurit në cep të kontinentit Amerikano-Verior duhet patjetër të vizitoni vendin historik kombëtar Farin e Cape Spear, pika më lindore e tij. Këtu dielli ngrihet më herët dhe viti i ri festohet më shpejt se kudo tjetër në Kanada. Është gjithashtu një ndër vendet me ideale në botë nga ku mund të observohen ajsbergët në dimër.