Discovery

Komuniteti Amish - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ndërsa po shkoja për në punë ndesha para meje këtë karroce që shihni në foto të tërhequr nga një kalë i vetëm.

Eshtë diçka e rrallë të hasësh në rrugët e Torontos një “Amish horse and buggy” model i vitit 1875. Karroca kishte ndaluar në rrugë për t’i hapur udhë një makine. Dhe çudia ishte që një kthesë më pas m’u shfaq një tjetër karrocë e ngjashme (jo amish) e ndalur në një parking makinash.

Amish (tri fotot e fundit janë marrë nga web) janë nje grup pasuesish të kishës gjermano-zvicerane Anabaptist, historia e të cilëve nis në vitin 1693 kur një grup besimtarësh të udhehequr nga Jakob Ammann (prandaj edhe emri Amish) u shkëputën nga kisha zvicerane dhe pasardhësit e tyre në shekullin 18-të emigruan në Pennsylvania të SHBA dhe më vonë edhe në Kanada. Mendohet që jetojnë rreth 250 mijë në SHBA dhe rreth 5000 në Kanada.

Konsiderohen komuniteti me rritjen më të madhe demografike në botë. Nga viti 1992 deri me sot popullsia e tyre është rritur me 149%, kjo falë faktit që çdo familje ka mesatarisht 8-10 fëmijë.

Ky komunitet jeton një jetë të paimagjinueshme për qytetërimin bashkëkohor.

Ata nuk përdorin teknologjinë në shtëpi, nuk mbajnë armë dhe janë kundër luftës, punojnë tokat e tyre ose rrinë në shtëpi, dhe pothuajse nuk largohen kurrë nga fshatrat apo qytetet e vogla ku jetojnë si komunitet. Marrin pjesë në çdo aktivitet të kishës së tyre dhe pasioni i tyre më i madh është bërja dhe rritja e sa më shumë fëmijëve. Fëmijët e tyre shkollohen në shkollat e tyre Amish deri në moshën 14 vjeç dhe aty mbaron edukimi i tyre shkollor. Shkollimi i mëtejshëm institucional konsiderohet si rreziku më i madh për vazhdimësinë e jetës tradicionale të komunitetit.

Jetesa e tyre u nënshtrohet ligjeve të brendshme të komunitetit dhe nëse dikush i shkel ato rregulla dëbohet nga familja e vet dhe nga komuniteti dhe nuk konsiderohet më një amish.

Janë shumë pak të ekspozuar ndaj botës së jashtme dhe nëse një adoleshent amish largohet një herë nga komuniteti i ndalohet përjetë rikthimi.

Amishët nuk përdorin makina, televizorë, radio apo telefonë dhe nuk kanë akses në internet. Vishen shumë thjesht dhe pa asnjë zbukurim. Gratë amish shërbejnë si infermiere dhe mamì për komunitetin. Amish nuk përdorin paranë midis tyre. Nuk shesin, nuk blejnë, por vetëm shkëmbejnë (bëjnë tram sendet dhe produktet mes komunitetit.)

Nga një vëzhgim rastësor i dikurshëm i imi kujtoj që dyert e shtëpive të tyre janë të gjelbra, po ashtu edhe çatitë. Kjo mënyrë jetese i ka bërë ata shumë tërheqës në sytë e turistëve të cilët në disa raste janë përpjekur ta adoptojnë, gjithnjë pa sukses, mënyrën amish të jetesës në vendet e tyre përkatëse.