Shije që duhen provuar në Kanada
Kur njeriu udhëton një nga gjërat që ka më tepër qejf të bëjë është të zbuluarit dhe provuarit e gatimeve tradicionale. Nëse shkoni në Kanada, po nuk provuat këto shije, mos tregoni më mirë që keni vizituar Kanadanë.
- Poutine

Një nga pjatat e shijshme për t’u provuar në Kanadanë franceze është Poutine, një gatim që daton prej 1950. Poutine e vërtetë bëhet me patate të skuqura kërce të zhytyra në lëng mishi, të piperosura dhe të spërkatura me gjizë.
- Proshuta kanadeze

Ajo që në Kanada njihet si proshutë e pjekur nga europianët konsiderohet si proshutë kanadeze. Ndryshe nga proshuta tradicionale që bëhet nga pjesa e barkut të derrit, proshuta kanadeze është copë mishi e kriposur, e cila mbështillet rreth një kalliri misri. Kjo ka mbetur që nga koha kur Kanadaja eksportonte mish derri në Angli duke e mbështjellë rreth bizeleve në mënyrë që të mos prishej. Me kalimin e kohës kjo praktikë u zëvendësua me misrin.
- Kokteili Caesar

I shpikur në 1969 nga një menaxher restoranti në Calgary, Walter Chell, ky kokteil u bë shumë popullor. Formula e tij përbëhet nga lëng clamato (domate me erëza dhe lëng molusqesh), vodka, salcë Worchester dhe shërbehet me gota ose kavanoz me buzë të kriposura.
- Beavertail

Mendoni një donut jo të hapur në mes. Kjo është baza e beavertail-it. Pra është një brum i cili hapet me dorë duke i dhënë formën e bishtit të kastorit. Receta është trashëguar brez pas brezi nga familja e Graham Hooker i cili ia prezantoi publikut më 1978. Pas një viti ai hapi në Ottawa dyqanin e tij të Beavertail-eve të lyera me sheqer, nutella dhe shumë lloje gjërash të ëmbla.
- Pica kanadeze

Është një miksim i picës italiane dhe asaj amerikane, brumë i hollë me përbërës gjithë fantazi përfshirë mango, kikirikë, djathë chedar, mozzarella, qepë të karamelizuara, etj. dhe në fund spërkatje me shurup panje.
- Tarta gjalpi

Konsiderohet si një nga gatimet më të hershme kanadeze. Është si një biskotë e thërmueshme e mbushur me krem gjalpi me sheqer dhe vezë. Ende ka debat nëse duhet shtuar rrush apo jo.
- Nanaimo bar

Kjo ëmbëlsirë me tre shtresa është e përbërë prej bazës që shkrin në gojë, shtresës së akullt të gjalpit me vanilje dhe çokollatës. Receta është gjetur fillimisht në një libër me titull “Zonjat ndihmëse të Spitalit Nanaimo”. 1 vit më vonë u botua libri i kuzhinës ku ishte përfshirë dhe ajo që besohej se ishte receta me emrin “Nanaimo bar”.
- Supa me bizele

Për të festuar 400-vjetorin e udhëtimeve të eksploratorit Samuel de Champlain, një shef kuzhine në Ottawa u frymëzua të kërkonte se me çfarë ishin ushqyer fillimisht eksploratorët kur zbritën në tokën kanadeze. Ai mësoi që eksploratorët e parë ushqeheshin me mish dhe bizele të thara. Kjo pjatë është e shijshme dhe pëlqehet ende dhe sot.
- Tourtière

Është gatim me origjinë franceze që daton prej 1600 i ngjashëm me byrekun. E merr emrin prej enës ku gatuhet. Mbushet me mish derri, mish lope ose viçi dhe i hidhen plot erëza. Gatuhet për Krishtlindje ose Vitin e Ri edhe pse në Québec e gjen në çdo stinë.
©Flasshqip.ca












