Discovery

Tradita e zakone kanadeze

Për shkak të rrënjëve europiane dhe afërsisë me Shtetet e Bashkuara, traditat e zakonet kanadeze janë një bashkim unik i kulturave të ndryshme. Quebec-u, provinca frankofone, ka ca zakone që pjesa tjetër e Kanadasë nuk i ka. Le ti hedhim një vështrim disave prej traditave më të spikatura në Kanada.

Halloween

Edhe pse festohet në shumë vende të botës, në Kanada Halloween-i ka marrë shumë rëndësi.  Nga 2004 deri 2014 janë dyfishuar të ardhurat nga industria e Halloweenit. Vetëm në 2014 arritën në një bilion dollarë.

Në Vancouver, e vetmja periudhë kur njerëzit lejohen të hedhin fishkzjarre në kopësht është nata e Halloween-it. Kjo leje duhet të sigurohet te autoritetet. Kërkuesit si dhe blerësit e fishekzjarreve duhet të jenë mbi 19 vjeç. Kjo traditë ka domethënien se në këtë natë qyteti mund të jetë i zhurmshëm.

Mëngjesi i Vitit të Ri

Me prejardhje europiane, Kanadaja sot është i vetmi shtet që feston mëngjesin e Vitit të Ri. Kjo traditë e ka zanafillën në 1600. Është një ngjarje që organizohet nga guvernatorët e çdo province dhe nga i përgjithshmi për të shënuar fillimin e një viti të ri duke shfaqur respekt.

Në Edmonton për shembull, qytetarët bëjnë një tur në godinën e qeverisë, konsumojnë pije freskuese dhe u dërgojnë kartolina trupave kanadeze që shërbejnë përtej oqeanit. Gjithashtu është një traditë e njësive dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ushtarake Kanadeze, që oficerët të përshëndetin të ftuarit duke i uruar vitin e ri.

Stampeda e Calgaryt

“Spektakli në natyrë më madhështor në botë”—kjo është Stampeda e Calgaryt, një ekstravaganxë vjetore, që zhvillohet çdo korrik në Calgary, Alberta. Qëllimi i kësaj feste është ruajtja dhe përçimi i trashëgimisë perëndimore, kulturës dhe shpirtit të komunitetit. Aty festohet përmes koncerteve, garave me kuaj, rodeo (me çmime marramendëse), ekspozitave, paradave dhe konkurseve agrokulturore. Kjo është një nga festat më të mëdha tradicionale kanadeze, ku marrin pjesë mbi një milion njerëz nga e gjithë bota.

Këpucë te reja në ditën e buxhetit

Kjo është një traditë e pazakontë, ku fillimisht Ministri Kanadez i Financave dhe më vonë edhe ministrat e financave të provincave veshin këpucë të reja kur miratohet buxheti i vitit. Origjina e kësaj tradite i ka fillesat në 1960 kur Donald M. Fleming e ndoqi si praktikë të përshkruar më pas nga media si traditë.

Por në 1966 kur Mitchell Sharp veshi këpucë të reja kuptoi që nuk ishte aspak traditë. E megjithatë, zakoni ka vazhduar deri në ditët tona. Në 2017 Ministri i Financave Bill Morneau veshi këpucë të reja të zeza të stiluara nga dizenjues kanadezë.

Dita e Falenderimeve

Kanadaja ka traditat e veta në këtë ditë, të cilat ndryshojnë pak nga ato të amerikanëve. Gjeli i detit dhe byreku me kungull janë pjesë kryesore e tavolinës, por data është gjithmonë e hëna e dytë e tetorit dhe gjithë shteti e ka pushim, përveç provincave të Atlantikut.

Dita e falenderimeve është festuar në ditë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme deri në 31 jananr 1957, kur parlamenti kanadez deklaroi: “Kjo ditë e mirënjohjes dhe falenderimeve të gjithanshme ndaj Zotit të plotfuqishëm, për të korrat e begatshme me të cilat është bekuar Kanadaja, do të respektohet të hënën e dytë të çdo tetori”.

Zakonet franceze

Quebec-u ka disa zakone unike. Për shembull në gjuhën e folur, vendasit përdorin përemrin “Ju” kur i drejtohen dikujt që nuk e njohin. Ata nuk kalojnë në “ti” deri në momentin kur tjetri ia lejon. Gjithashtu është e zakonshme për njerëzit të puthen dy herë në faqe kur takohen, ndërkohë që pjesa tjetër e Kanadasë takohen duke dhënë dorën. Kur shkojnë nëpër festa, paraprakisht dërgojnë lule ose marrin me vete verë të mirë.

 

©FlasShqip.ca