Discovery

Sigurimi shëndetësor dhe sigurimi i udhëtimit në Kanada - Nga Ajet Nuro

Para disa ditësh publikova një status në rrjetin social Facebook ku flisja për sigurime udhëtimesh. Dikush më shkruajti se ai nuk i kupton dhe aq siguracionet ndaj a mund të shkruaja pak më gjatë? Ja pra një version informativ për interesin e të gjithëve.

Si qëndron e vërteta e mbulimit shëndetësor në Kanada?

Në Kanada, shëndetësia është kompetencë e provincave. Ndonëse qeveria federale ka kompetenca në këtë fushë, sidomos në transfertat e parave të destinuara drejt provincave, janë këto të fundit që janë përgjegjëse për programet që mbulojnë kujdesin shëndetësor të rezidentëve respektivë. Kjo do të thotë që mbulimi dhe karta e shëndetit janë të vleshme në provincën ku jeton.

Gjithë shpenzimet e angazhuara jashtë provincave janë të rimbursueshme në nivelin e shpenzimeve ekuivalente të kryera në provincën e origjinës. Përjashtim bëjnë ata qytetarë që kanë sigurime private. Me sigurime private kuptojmë sigurime të quajtura ndryshe edhe sigurime kolektive ose grupi, që sponsorizohen nga punëdhënësi i cili siguron punonjësit tek një kompani sigurimesh si Sun Life për shembull.

Duke qenë se flasim për sigurime private, ky lloj mbulimi është me i kompletuari, pasi kompanitë e sigurimeve duhet të ofrojnë të njëjtin mbulim si dhe regjimet publike, por praktikisht ato ofrojne shumë më tepër, si për shembull sigurim jete, sigurim udhetimesh, mbulim dentar etj.

A është i siguruar nga ana e shëndetit çdo qytetar apo rezident kanadez?

Në parim të gjithë rezidentët e përhershëm dhe qytetarët janë të siguruar përveç tre muajve të parë kur hyjnë në Kanada për herë të parë ose pas një mungese prej mbi 6 muaj. Në këto raste është i domosdoshëm një siguracion privat. Një sigurim vizitori mund t’u mbulojë në këto raste.

Vizitor në Kanada?

 Një udhëtim në Kanada mund të jetë dhurata më e bukur që një rezident apo qytetar kanadez mund t’u bëjë familjarëve të tij. Kanadaja ofron bukuri të jashtëzakonshme në të gjitha stinët. Por, duke patur një nga sistemet shëndetsorë nga më të shtrenjtët në botë, rreziku i përballjes me të përben edhe një kërcënim për financat e mikpritësit kanadez. Nëse shtojmë rrezikun e aksidenteve dhe vdekjes së mundshme, shifrat me të cilat mund të përballemi mund të jenë të paimagjinueshme.

Kushton shumë të sigurohesh si vizitor në Kanada?

Gjithçka varet nga mosha dhe situata shëndetësore e personit, por një gjë është e sigurt, ajo kushton shumë më pak sesa do të kushtontë një shtrim në spital për shembull.

Po kanadezët që udhëtojnë në botë?

Imagjinoni kanadezët që kalojnë kufirin me Shtetet e Bashkuara çdo ditë për të kaluar një ditë apo një fundjavë në shtetin fqinj. Një udhëtim sado i shkurtër mund të kthehet në ëndërr e keqe.

Një miku im u sëmur gjatë udhëtimit në Florida dhe qe me fat sepse kishte një siguracion privat që i bëri të mundur trajtimet e para në një spital në Florida dhe kthimin në Kanada me avion privat. Sa kushtoi do thoni ju? Atij nuk i kushtoi asnjë gjë ndërsa kompanisë që e kishte siguruar mbi 150 mijë $.

Një sigurim udhëtimi mund të kushtojë disa dollarë në ditë, por ai merret para se të nisesh, në momentin që planifikon udhëtimin. Kur ndodh diçka e papritur në udhëtim është paksa vonë të të gjetur një zgjidhje që të mbron financat. Gjithashtu, shikoni me vëmendje çfarë mbulimi keni. Mos mendoni se kartat e kreditit që ofrojnë sigurime udhëtimi u mbulojnë gjithmonë. Shumë syresh ofrojnë mbulim për ditët e para të udhëtimit. Mbi të gjitha, mos mendoni se si shqiptarë apo shqiptaro-kanadezë jeni të fortë.

Ku dhe si mund të siguroheni?

Zakonisht, agjentët që bëjnë sigurime personi (jete, invaliditeti, shëndeti) mund t’u ndihmojnë me sigurime udhëtimi. Unë jam njëri prej tyre. Por sot mund t’i bëni siguracionet edhe në linjë. E rëndësishme është të siguroheni ju dhe të afërmit, për të mos punuar gjithë jetën për të larë borxhet.

https://advisor.sunlife.ca/e/ajet.nuro/