Discovery

Kanada - Ja si do te jetë harta e re elektorale federale pas dy vitesh

Për të reflektuar ndryshimet në shifra të popullsisë kanadeze, prej vitit 2024, numri i vendeve në Dhomën e Komunave (Parlamenti kanadez) do të rritet nga 338 në 342. Kështu ka njoftuar sot (15.10.2021) Stéphane Perrault, Drejtori i Përgjithshëm i Elections Canada, e cila është agjencia shtetërore e pavarur që organizon zgjedhjet dhe referendumet federale në vend. Bazuar në një formule të parashikuar në Kushtetutë dhe referuar shifrave të regjistrimit të popullsisë që deklarohen nga Statistics Canada, numri i deputetëve rillogaritet çdo 10 vjet.

Stéphane Perrault

Nga provincat dhe territoret, Ontario, Alberta dhe British Columbia do të kenë rritje të numrit të zonave elektorale, ndërsa Quebéc është provinca e vetme që do ketë një zonë më pak, 77 nga 78 që ka aktualisht. Sipas shpërndarjes së re të vendeve të propozuar nga Elections Canada, British Columbia parashikohet të ketë 43 zona (42 aktualisht), Alberta 37 (34 aktualisht), Saskatchewan 14, Manitoba 14, Ontario 122 (121 aktualisht), New Brunswick 10, Nova Scotia 11, Prince Edward Island 4, Newfoundland dhe Labrador 7, Yukon 1, North Territories 1 dhe Nunavut 1.

Në bazë të këtij informacioni të ri, në secilën provincë do të bëhet dhe një rindarje e kufijve të zonave zgjedhore federale. Ky proces, i cili pritet të fillojë në Shkurt 2022, do të realizohet nga komisione të pavarura prej partive politike. Ndërkohë, harta e re elektorale pritet të përfundojë në Tetor 2023, por nuk do të hyjë në fuqi menjëherë.

©Flasshqip.ca me informacione nga Radio-Canada