Përshkrim historiko-statistikor mbi moshën e daljes në pension në Kanada - Nga Kostandin Ristani
Kostandin Ristani, Ottawa-Gatineau
Shumica e njerëzve mendojnë që dalja në pension në moshën 65 vjeç ka qenë gjithmonë një normë. Por në të vërtetë kjo është e vendosur zyrtarisht qysh nga viti 1935. Rreth kësaj kohe shumë qeveri miratuan ligjin e sigurimeve sociale, duke vendosur kështu një moshë të standardizuar zyrtare 65 vjeç për mirëqenien shtetërore për pensionistët.
Ideja e daljes në pension e ka origjinën nga Prusia në vitin 1881, kur Otto von Bismarck vendosi që qeveria të mbështesë nga ana financiare qytetarët mbi moshën 70 vjeç. Në atë kohë, ky qe një veprim radikal, sepse deri në atë kohë punonjësit, kudo në botë, nuk dilnin në pension. Ata thjesht punonin deri sa vdisnin dhe pritshmëria e jetës mesatare ndërmjet fundit të viteve 1800 dhe fillimit të viteve 1900 ishte vetëm 61 vjeç, kështu që shansi për të jetuar dhe arritur moshën e pensionit ishte praktikisht zero.
Tani dalja në pension është shprehja më e përdorshme për kohë të lirë si shansi i dytë në jetë kur pensionisti mund të flerë sa të dojë dhe të kalojë kohën me argëtime çdo ditë e gjithë ditën. Njerëzit tani rrojnë më gjatë dhe në qoftë se jeta e pensionit zgjaste pesë vjet apo më pak, siç qe në vitet 1960, ajo mund të shtrihet po aq sa edhe karriera e punës, nganjëherë 30-40 vjet.
Sipas Statistics Canada, Agjencia federale kanadeze e statistikave, 36% e kanadezëve të moshës 65-74 vjeç janë akoma duke punuar me kohë të plotë dhe 13% e atyre mbi 75 vjeç po vazhdojnë të punojnë.
Në kundërshtim me përshtypjen e përgjithshme, nuk ekziston koha më e përshtatshme për të dalë në pension dhe, në qoftë se punonjësi është me shëndet të mire, nuk është e nevojshme për të pushuar së punuari dhe të qendrojë në gjendje shplodhje deri ditën e vdekjes.
Dalja në pension nuk kishte për qëllim cilindo, megjithëse çdo njeri beson se duhet ta gëzojë atë. Mosha 65 vjeçare e daljes në pension u zgjodh nga ekonomistët dhe ekspertët e sigurimeve kur u krijua sistemi i sigurimeve sociale dhe pritshmëria e jetës ishte mjaft më e shkurtër se sa tani dhe vetëm ndiqte një udhëzim të përgjithshëm.
Në realitet, shumica e kanadezëve tani po dalin në pension më përpara se të mbushin 65 vjeç dhe, 61 vjeç është tani mesatarja e daljes në pension, por 65% e këtyre pensionistëve vazhdojnë të punojnë me kohë të pjesshme.
Të vazhdosh të punosh duke qenë në pension ka mjaft përfitim për pensionistin. Vazhdimi i të qenit i lidhur me shoqërinë, të qenit fizikish aktiv, menderisht i mprehtë dhe të gëzuarit e të ardhurave shtesë, të gjitha këto e mbështesin çështjen e vazhdimit të punësimit duke qenë në pension. Ky grup i pensionistëve pohojnë se duke punuar me kohë të pjesshme, kur ke dalë në pension, ke më pak probleme shëndetësore.
©Kostandin Ristani