Discovery

Pse u arrestua Viola Desmond në një kinema të Nova Scotia më 1946? - Nga Taulant Dedja

Javën që shkoi, në ambientet e një ish-kinemaje në New Glasgow të provincës kanadeze Nova Scotia, u përkujtua Viola Desmond, gruaja që konsiderohet sot si pionierja kanadeze e të drejtave civile. U përkujtua pikërisht aty ku u arrestua 76 vjet më parë, vetëm sepse u ul në seksionin e rezervuar ekskluzivisht për të bardhët. Ceremonia u shoqërua edhe me përurimin e një pllake përkujtimore, që i dedikohet rëndësisë historike të aktit të saj kundër segregacionit dhe racizmit.

Por çfarë ndodhi saktësisht në kinemanë e vjetër Roseland më 8 nëntor 1946? Në ato vite, në teatrot e kinematë kanadeze, edhe pse jo i mbështetur në ligj, tolerohej dhe aplikohej segregacioni. Qytetarët me ngjyrë uleshin lart në galeri, ndërsa vendet poshtë ishin të rezervuar vetëm për të bardhët. Viola Desmond, atë ditë në një udhëtim pune, krejt rastësisht vendosi të shohë një film në Roseland Theatre, ndërkohë që automjeti i saj që pat pësuar difekt papritmas, po riparohej diku aty pranë. Duke qenë miope, ajo vendosi të ulej poshtë për të qenë sa më pranë ekranit. Kur personeli i kinemasë i kërkoi të ngrihej, ajo refuzoi dhe për pasojë, pas disa çastesh u tërhoq zvarrë brutalisht nga policia dhe u nxorr nga kinemaja.

Pas arrestimit, ajo u mbajt e izoluar për 12 orë para se të gjobitej me 26 dollarë për evazion fiskal. Gjoba, u bazua në diferencën prej një cent midis taksave për biletat e dyshemesë dhe biletave të galerisë. Kjo ishte e vetmja mënyrë që autoritetet lokale të mund të gjenin justifikim ligjor për burgosjen e Viola Desmond. Sa për kuriozitet, taksa e çmimit të biletës në galeri prej 30 cent, ishte dy cent, ndërsa taksa e çmimit të biletës poshtë që kushtonte 40 cent, ishte tre cent. Kësisoj, ajo u shpall fajtore se e privoi qeverinë nga arkëtimi i një qindarke taksa. Për më tepër, policia nuk e informoi atë për të drejtat e saj, si këshillimi ligjor, angazhimi i një avokati apo lirimi me kusht gjatë arrestimit. Desmond e paditi kinemanë, por gjykatësi i çështjes e refuzoi kërkesën e saj, ndërsa Gjykata e Lartë e provincës ia refuzoi apelimin. Më pas ajo mbylli biznesin dhe u largua nga Nova Scotia.

Viola Irene Desmond lindi në 6 qershor të vitit 1914, në Halifax (Nova Scotia) dhe u nda nga jeta në New York, më 7 shkurt 1965. Desmond është e para qytetare në historinë e Kanadasë, që i anulohet dënimi post mortum (me vendim të lejtënant-guvernatores së Nova Scotia) dhe të cilës qeveria i kërkon falje publike. Kjo ndodhi pikërisht në vitin 2010. Ajo ishte vajza e një nënë afroamerikane dhe një babai të bardhë, fakt i rrallë për kohën.  Duke qenë gjysëm me origjinë afrikane, asaj nuk iu lejua të formohej profesionalisht për t'u bërë esteticiene në Halifax, sepse shkollat e bukurisë në Nova Scotia nuk i pranonin gratë me ngjyrë. Kësisoj për ta fituar profesionin, ajo shkoi fillimisht në Montréal, Atlantic City dhe më pas në një nga shkollat ​​e bukurisë të CJ Walker në New York.

Pas kthimit në Nova Scotia, ajo themeloi Shkollën e Kulturës dhe Bukurisë “Desmond”, ku gratë nga Québec, New Brunswick dhe Nova Scotia, të cilat nuk lejoheshin të ndiqnin shkollat ​​e destinuara ekskluzivisht për të bardhët, mund të merrnin trajnime në administrim biznesi (rreth 15 të tilla diplomoheshin aty çdo vit). Desmond gjithashtu krijoi dhe markën e saj të produkteve të bukurisë, “Vi's Beauty Products”, që e promovonte dhe shpërndante vetë.

Akti i guximshëm i kanadezes Viola Desmond ndodhi gati një dekadë përpara se Rosa Parks të refuzonte të lëvizte nga vendi i saj në një autobus në Alabama të SHBA, ku seksioni i qytetarëve të bardhë ishte i ndarë nga ai i qytetarëve me ngjyrë.

Edhe pse me vonesë, duhet pohuar se kontributi i Viola Desmond në Halifax, në favor të barazisë së të drejtave civile, ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik dhe është vlerësuar gjatë 10-15 viteve të fundit edhe nga institucionet shtetërore. Canada Post ka emetuar tashmë një pullë për nder të saj, po ashtu edhe Banka e Kanadasë një kartmonedhë 10 dollarëshe me portretin e saj. Një traget në Halifax, një park në Toronto, një shkollë në Milton, një rrugë në Montréal dhe një tjetër në New Glascow, mbajnë emrin e Viola Desmond. Ndërkohë, në vitin 2010 u krijua katedra kërkimore “Viola Desmond” në fushën e drejtësisë sociale pranë Universitetin Cap-Breton (Sydney, Nova Scotia), ndërsa në vitin 2017 ajo u përjetësua edhe në Canada’s Walk of Fame në Toronto, në kategorinë Filantropi dhe Shkenca Humane.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada/Patrick Foucault, Banque du Canada, La Presse Canadienne