Në eksplorim të Québec City
Ndërsa ecni në rrugët me kalldrëm të Québec City, duke vizituar monumentet që i kanë rezistuar kohës ju ndiheni sikur keni udhëtuar në të kaluarën.
1. Qyteti i vjetër

Québec i Vjetër (ose Vieux-Québec, siç e quajnë vendasit) nuk është thjesht një atraksion por një koleksion atraksionesh mbresëlënëse, të gjitha brenda një zone historike. Ky thesar i trashëgimisë botërore të UNESCO-s përbën një udhëtim të përsosur ditor. Në vetëm pak orë ju mund të shihni arkitekturën që daton shekuj më parë, si dhe kisha dhe kapela mahnitëse që tregojnë historinë fetare të rajonit. Sigurisht, nëse nuk jeni një adhurues i historisë, zona ka shumë gjera të tjera për të ofruar, nga arti dhe muzika deri te blerjet dhe restorantet e mira. Vërtet, një zonë që duhet vizituar Vieux-Québec.
2. Fortifikimet

Shumë njerëz nuk e vërejnë se Québec City është një qytet i rrethuar me mure - i vetmi qytet i fortifikuar i mbetur i Amerikës së Veriut në fakt. Me një gjatësi prej rreth 4.5 kilometrash, fortifikimet e Québec City janë pjesë e një sistemi mbrojtës të ndërtuar midis 1608 (kur Samuel de Champlain themeloi qytetin) dhe 1871, nga forcat franceze pastaj britanike dhe përfundimisht kanadeze. Bëni një shëtitje përgjatë mureve për të mësuar historinë e tyre dhe për të shijuar pamjet e qytetit historik. Ndiqni muret drejt e në Citadel, një kështjellë në formë ylli e ndërtuar pas Luftës së 1812. Vëzhgoni ceremoninë e Ndryshimit të Rojeve, shikoni musketat duke u gjuajtur dhe plotësoni përvojën me një vizitë në Muzeun e ri të regjimentit.
3. Montmorency Falls Park

Shumë njerëz habiten kur zbulojnë se një ujëvarë një herë e gjysmë më e lartë se Ujëvara e Niagarës ndodhet vetëm disa minuta larg Quebéc City. Ujëvarat e Montmorency janë një mrekulli për t'u parë, si nga brenda qytetit ashtu edhe nga afër në Parkun Montmorency Falls (Parc de la Chute-Montmorency në frëngjisht). Hipni deri në majë për një pamje spektakolare. Vizitorët më aventurierë mund të zgjedhin të ecin në një nga tre shtigjet e Via Ferrata, duke u ndalur gjatë rrugës për disa shkrepje të denja për Instagram. Sigurisht, pasi të arrini majën, mund të uleni dhe të shijoni një vakt të mrekullueshëm në Manoir Montmorency.
4. Lagjja Petit Champlain dhe Sheshi Mbretëror (Place Royale)

Vizitorët në Quebec City gjithmonë flasin për sharmin e tij evropian dhe askund nuk është më autentik ky sharm se në lagjen Petit Champlain (Quartier du Petit Champlain) - një nga më të vjetrat në Amerikën e Veriut. Ecni në rrugët e ngushta me kalldrëm dhe shkoni në dyqanet e shumta për të blerë një suvenir. Lëreni nuhatjen e hundës tuaj t'ju udhëheqë në një nga restorantet dhe bistrotë e shumta dhe sigurohuni që të gjeni kohë për të provuar ëmbëlsirat lokale me shurup panje në La Petite Cabane à Sucre. Vetëm një shëtitje të shkurtër larg është Place Royale, një shesh i vogël me një histori të madhe. Pikërisht këtu Samuel de Champlain themeloi qytetin në vitin 1608. Sot Place Royale i kthen vizitorët pas në kohë me ndihmën e kishës më të vjetër prej guri në Amerikën e Veriut dhe një murale masive që gjurmon 400 vjet të historisë së Québec.
5. Rrafshnalta e Abrahamit

Rrafshnalta e Abrahamit është një hapësirë e gjelbër e jashtëzakonshme urbane nga ku mund të shijoni gjurmët e natyrës. Pikërisht në këtë rrafshnaltë, gjeneralët Wolfe dhe Montcalm luftuan për të ardhmen e Perandorive Franceze dhe Britanike në Amerikën e Veriut. Ndër të tjera sot shërben për organizimin e “Le Festival d'été du Québec”, një festival i madh muzikor që çdo verë ka tërhequr artistë si The Rolling Stones, The Foo Fighters dhe Lady Gaga.
6. Faltorja Sainte-Anne-de-Beaupré

Një milion vizitorë çdo vit ndalojnë në faltoren Sainte-Anne-de-Beaupré ndoshta sepse bazilika 350-vjeçare është tepër e bukur. Faltorja është vendi më i vjetër i pelegrinazhit në Amerikën e Veriut ku ende mbahet meshë ditore.
7. Muzeu i Qytetërimit dhe Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura

Dy muze të mëdhenj tërheqin vizitorë gjatë gjithë vitit në Quebec City. I pari, “Musée de la Civilization” ruan e shfaq evolucionin e shoqërisë sonë, dhe këtë e bën edhe përmes vetë ndërtesës, e cila është një përzierje e strukturave të vjetra dhe dizajnit modern. Brenda do të gjeni ekspozita mbi Kombet e Parë (First Nations) të Québec, historinë e provincës dhe një sërë ekspozitash turistike që përshkruajnë evolucionin e qytetërimit global. Tjetri, “Musée National des Beaux-Arts” është muzeu i arteve të bukura të qytetit, me një koleksion prej 38,000 veprash nga katër shekujt e fundit. Muzeu kujdeset veçanërisht për të promovuar artistët e Québec dhe punën e tyre, duke përfshirë artin që daton që nga kolonitë franceze që banonin në këtë zonë. Pyetja e vetme është se cilin muze do të vizitoni më parë?
8. Parku Kombëtar Jacques-Cartier

Cilat aktivitete në natyrë ju duken më argëtuese? Jeni tip personi që bën ski, biçikletë apo ecje? Apo ndoshta ju jeni më shumë për peshkim a kajak? Ndoshta ju preferoni vrojtim të kafshëve të egra? Gjëja e mirë për Parkun Kombëtar Jacques-Cartier është se nuk keni pse të zgjidhni. I mbiquajtur "Quebec City's Great Outdoors", 415 kilometra katrorë të parkut ofrojnë gjithë aktivitetet e mundshme në natyrë.
9. Kodra e Parlamentit

Prej më shumë se një shekulli, ndërtesa e Parlamentit të Québec shpaloset dukshëm në majë të një kodre në qytet. Megjithëse ndërtesa është shtëpia e debatit politik dhe vendimmarrjes, ajo është bërë gjithashtu një destinacion kulturor popullor. E frymëzuar nga Pallati i Luvrit në Paris, bukuria arkitekturore e ndërtesës shijohet veçanërisht gjatë natës kur ndriçohet. Terreni i ndërtesës është zbukuruar me 26 statuja bronzi për të përkujtuar figurat kryesore të historisë së provincës. Parku dhe kopshtet përreth ofrojnë një "arratisje të gjelbër" në mes të qytetit.
10. Ishulli Orlean (Île d'Orléans)

Ishulli Orlean që është vetëm një kalim ure larg nga Québec City, është ishulli i fermerëve dhe prodhuesve të ushqimit, dhe ndërsa udhëtoni në fshat do të hasni në gjashtë fshatra të ndryshëm: Sainte-Pétronille në majë të ishullit, me pamje të mrekullueshme të Ujëvarës Montmorency dhe verë të mirë lokale. Saint-Laurent është i mbushur me stenda fermash dhe fusha me luleshtrydhe. Saint-Jean dallohet për shtëpitë e ruajtura të lundërtarëve që lundruan me anije në lumin Saint Laurent në mesin e shekullit 19. Saint-François ka një kullë vëzhgimi me pamje të mrekullueshme të ishujve përreth dhe të grykëderdhjes së Saint Laurent. Sainte-Famille është plot me pemishte mollësh. Dhe së fundi, Saint-Pierre është fshati më i populluar më afër urës së qytetit.
Kështu pra, tani ju mbetet vetëm t’i hipni makinës dhe zbuloni nga afër gjithë sa lexuat.
Burimi: https://travel.destinationcanada.com
Photo credits: Asymetric/Finn O’Hara; Jeff Frenette Photography; Wikimedia Commons under CC BY-SA 3.0
Përshtatja në shqip: FlasShqip.ca












