Lufta e Parë Botërore/ Historia e Kanadasë (pjesa e 9-të)
Pjesa e 9-të
Shumica e kanadezëve ishin krenarë që bënin pjesë në Perandorinë Britanike. Mbi 7,000 vullnetarë u bashkuan për të luftuar në Luftën e Afrikës së Jugut (1899-1902), e njohur gjerësisht si Lufta e Boerit, ku mbi 260 vetë vdiqën. Në vitin 1900, kanadezët morën pjesë në betejat e Paardeberg dhe Lillefontein, fitore që forcuan krenarinë kombëtare në Kanada.
Kur Gjermania sulmoi Belgjikën dhe Francën në vitin 1914 dhe Britania i shpalli luftë, Ottawa formoi Forcën e Ekspeditës Kanadeze (më vonë Korpusin Kanadez). Më shumë se 600,000 kanadezë shërbyen në luftë, shumica prej tyre vullnetarë, nga një popullsi prej tetë milionë banorësh.
Në fushën e betejës, kanadezët u treguan të fortë dhe kreativë. Në prill të vitit 1917, trupat kanadeze zaptuan Vimy Ridge në Francë, duke numëruar 10,000 të vrarë ose të plagosur, dhe duke u siguruar reputacionin kanadezëve si "trupa shokuese e Perandorisë Britanike". Sipas një oficeri kanadez "Ishte Kanadaja nga Atlantiku në Paqësor për paradë ... Në ato pak minuta unë isha dëshmitar i lindjes së një kombi ". 9 prilli festohet si Dita e Vimy-t.
Për fat të keq, nga viti 1914 deri më 1920, Ottawa internoi mbi 8,000 ish-pjesëtarë të trupave Austro-Hungareze, kryesisht burra ukrainas, si "armiq" në 24 kampet e punës në të gjithë Kanadanë, edhe pse Britania ishte kundër kësaj politike.
Në vitin 1918, nën komandën e gjeneralit Sir Arthur Currie, ushtaraku më i madh i Kanadasë, Trupat kanadeze përparuan së bashku me trupat e Perandorisë Franceze dhe Britanike në 100 ditët e fundit. Këtu përfshihen Betejat fituese të Amiens më 8 gusht 1918, të cilën gjermanët e quajtën "dita e zezë e ushtrisë gjermane" – e pasuar nga Arras, Canal du Nord, Cambrai dhe Mons. Me dorëzimin e Gjermanisë dhe Austrisë, lufta përfundoi me armëpushim më 11 nëntor 1918. Në total 60,000 kanadezë u vranë dhe 170,000 u plagosën. Lufta përforcoi krenarinë kombëtare dhe perandorake, veçanërisht në Kanadanë angleze.
Gratë marrin të drejtën e votës
Në kohën e Konfederatës, të drejtë vote kishin meshkujt e bardhë, madhorë që kishin prona. Kjo ishte e zakonshme në shumicën e vendeve demokratike në atë kohë. Përpjekja e grave për të arritur të drejtën e votës njihet si lëvizja e grave për votën. Themeluesja e saj në Kanada ishte Dr Emily Stowe, gruaja e parë kanadeze që praktikoi mjekësinë në Kanada. Në vitin 1916, Manitoba u bë provinca e parë që u njohu grave të drejtën e votimit.

Dr Emily Stowe
Në vitin 1917, në sajë të udhëheqjes së grave të tilla si Dr Stowe, qeveria federale e Sir Robert Borden në zgjedhjet federale u dha grave të drejtën për të votuar - së pari tek infermieret në frontin e betejës, pastaj tek gratë që kishin lidhje me burra në luftë. Në vitin 1918, shumica e qytetarëve kanadezë të moshës 21 vjeç e lart kishin të drejtën për të votuar në zgjedhjet federale.
Agnes Macphail
Në 1921 Agnes Macphail, fermere dhe mësuese, u bë gruaja e parë anëtare parlamenti. Për shkak të punës së Thérèse Casgrain dhe të tjerave, edhe Quebec ua njohu grave të drejtën e votës në 1940.
Përkujtimi i të rënëve gjatë luftrave
Çdo vit në 11 nëntor, në Ditën e Përkujtimit, Kanadezët kujtojnë sakrificat e veteranëve dhe trimëritë e të rënëve në të gjitha luftërat. Kanadezët vendosin lulëkuqe në kraharor dhe mbajnë një çast heshtjeje në orën 11 të ditës së 11-të të muajit të 11-të për të nderuar sakrificat e mbi një milion burrave dhe grave të guximshme që kanë shërbyer dhe 110.000 vetëve që kanë dhënë jetën. Mjeku-ushtarak kanadez, nënkoloneli John McCrae, në 1915 shkroi poezinë "Në fushat e Flanderit" e cila recitohet në Ditën e Përkujtimit:
Në fushat e Flanderit shpërthejnë lulëkuqe
rreshtuar ndër udhëkryqe,
vendin tonë shënojnë;
dhe në qiell laureshat, ende me guxim këndojnë e fluturojnë
mes armësh ne pak i dëgjojmë
Ne jemi të vdekur
agimin dhe shkëlqimin e diellit kemi parë dikur
jetuam, deshëm dhe na deshën, dhe tani shtrihemi
në fushat e Flanders.
luftrat tona me armikun merrni ju
prej duarve të dështuara i hedhim tek ju
Pishtar të bëhen dhe lart të ngrihen
kush thyen besimin shpejt do të fiken
Ne nuk do flemë, edhe pse lulëkuqet rriten
në fushat e Flanderit
©Flasshqip.ca












