Çpëlaku - Tregim nga Avdulla Kënaçi
U bë e pabëra dhe u dëgjua e padëgjuara, pikërisht në atë fshat blegtoral në mes të maleve, me nam të mirë për trimëri e bujari, për besë e miqësi të çiltër, ndodhi kjo ngjarje që do t’ju tregoj këtu më poshtë:
Nuk është se këta malësorë kanë ndonjë adhurim të jashtëzakonshëm për objektet e kultit, ama për arsimimin nuk të falin. Dyert e shkollës fillore e 8-vjeçare janë pa çelës, por askush nuk prek asnjë shkumës ose vizore, le më librat. Shkolla është e shenjtë, adhurohet më shumë se një objekt fetar. Jo më kot nga ky fshat ka dalë një shkencëtar me famë botërore. Të gjithë e kanë arsimin të shenjtë, pa përjashtim, nga i madhi tek i vogli. Ekziston aty një garë e heshtur, për çdo familje, njeri nga fëmijët duhet të shkëputet nga fshati dhe të vazhdojë shkollë më lart, mundësisht në Tiranë, në kryeqytet. Arsimimi është jetëdhënës, si ai shiu i beharit që njom tokën e etur për ujë, rrit barin e ri dhe pjek frutat në pemë.
Atë mëngjes, nxënësi i parë që u fut në klasë të shtatë për të bërë pastrimin e zakonshëm, doli me vrundull përjashta duke mbajtur hundën me dorë dhe ia nisi një kuje të thukët sikur të kishte gjetur në bangën e dytë një minë, më saktë një të vdekur. Ata që dëgjuan britmën, sidomos ata që banonin rrotull shkollës, u sulen të parët, madje njeri mbërriti zbathur, nuk veshi dot asnjerën nga të dy opingat.
Fëmijën e alarmuar e vunë në mes, por nuk kuptonin se çfarë e kishte frikësuar aq shumë. Fjalët nuk ia dëgjonin mirë sepse flisnin të gjithë njëherësh. Më në fund e kuptuan se ai kishte parë mbi bankën e dytë një jashtëqitje sa një kulaç. Ishte tronditur e habitur sikur ta kishte pickuar një gjarpër helmues dhe kishte dalë me vrap jashtë duke u përplasur me derën e madhe dykanatëshe të korridorit. Duke menduar se ishte plagosur dikush, pak nga pak thuajse tek shkolla kishte mbërritur gjysma e fshatit. Mësuesit qëndruan grumbull, së bashku, kokëulur, pa folur asnjë fjalë, sikur të ishte faji i tyre. Drejtori menjëherë dha urdhër që shkolla të pezullohej përkohësisht, derisa të gjendej fajtori. Sekush sillte ndërmend nxënësit e tij dhe vrisnin rradaken se cili mund të ishte ai vagabond që kishte bërë atë gjest të neveritshëm, të padëgjuar kurrë në fshat. Dhe përse?!
Kryepleqësia nuk qëndroi indiferente, u hoq mënjanë. Edhe atyre u takonte ta zbulonin me çdo kusht cili ishte ai zullap që kishte përdhosur shkollën, vatrën e diturisë dhe kishte turpëruar fshatin duke njollosur biografinë e papërlyer të traditave fisnike të këtij fshati me emër të mirë në mes të këtyre maleve të lartë.
- E para, - tha Kryeplaku - të veçojmë jabanxhijtë, udhëtarët që kalojnë nga Zalli dhe ndonjë mysafir që e ka zënë barku dhe nga ngutja, ose turpi, është zbrazur në klasë.
- Jo, - tha Sekretari, - me siguri është një fëmijë nga tanët. E ka pasur qëllim çfarë ka bërë. Mendoj se ka dashur të fyejë dikë, e ka bërë për tallje, për turpërim. Ky njeri ka kaluar me gjakftohtësi koridorin, ka hipur mbi bankën e dytë të klasës së shtatë, rehat-rehat ka ulur pantallonat dhe është zbrazur. Me këtë gjest ky rrugaç i dërgon dikujt një mesazh, ose mësuesit, ose klasës.
- Mund të jetë edhe femër, - u hodh e tha një tjetër.
- Kurrë, - tha Kryeplaku, - femrat tona janë me aq shumë erz e namuz sa nuk e ulin veten në këtë lloj derexheje.
- Ashtu është, - aprovuan të gjithë njëzëri.
- Po si ta gjejmë?
- Shkolla të pezullohet gjersa të gjendet fajtori, - dha urdhër Kryeplaku, - klasën mbylleni, mos e pastroni, të pëgërën do t’ia vëmë në turi fajtorit, vagabondit, do t’i japim një mësim ta marrë vesh e tërë krahina.
Trupi pedagogjik i shkollës bëri mbledhje më vete me dyer të mbyllura. I morën nxënësit me radhë, një më një. Kush mund ta kishte bërë? U përqëndruan tek diskutimi i mësuesit kujdestar të klasës së shtatë, Petritit. Ai tha se në atë klasë ka tre nxënës mbetës, por tek asnjeri nuk dyshon. Nuk kanë guxim për aventura të këtij lloji. Për habi ishte ndyrë banka ku qëndronte ulur më e mira e shkollës, natyrisht edhe më e bukura, Mitëria me lëkurë të hollë si cipë veze dhe sy të kaltër si ujët e liqenit të Kacojthit. Drejtori dha urdhër që çdo mësues të bënte mbledhje më vete, të përdorej çdo metodë, gjer tek qëndrimi me një këmbë, ose dyzet shufra të thanta në prapanicë. Me çdo kusht të gjendej fajtori dhe t’i kthehej emri i mirë shkollës. Asnjë raport në Seksion të Arsimit në rreth. Ky ishte urdhër i prerë. Ky turp dhe nam i keq duhej të mbetej brenda fshatit.
I gjithë fshati kaloi dyzet e tetë orë në tension dhe asnjë rezultat i besueshëm. Drejtori dha një urdhër tjetër: Çdo nxënës duhet të shkruante emrin e mbiemrin e personit që dyshonte, jashtë ose brenda shkollës, ta paloste letrën dhe ta hidhte në një kuti kartoni në sekretari dhe ky lloj votimi duhet t’i dorëzohej dora vetë, Drejtorit. U desh një ditë e tërë të veçoheshin emrat e dyshuar. Vendin e parë e mbante “Çpëlaku”, i shënuar 27 herë, pastaj vinin të tjerë me më pak vota. Nuk shënohej asgjëkundi arsyeja. Personeli pedagogjik dhe vetë Drejtori për herë të parë mësuan se midis nxënësve dikush thirrej “Çpëlak”. Drejtori, me origjinë nga qyteti e dëgjonte rishtaz këtë nofkë. Çfarë domethënë “Çpëlak”? Ia shkoqën se kështu u thonë në fshat njerëzve pa gjak në faqe, të shpëlarë nga ndërgjegja dhe turpi, ose namuzi. Njerëz të pacipë, ashqimo. Drejtori thirri më vete nxënëse Mitërinë, atë që ishte fyer më shumë nga ky gjest. Pikërisht në vendin e saj ishte lëshuar e pëgëra. Ishte hera e parë që ai e vështroi atë me kujdes, nga koka tek këmbët. Vuri re se kishte një gjoks pak më të madh se moshataret e saj. Ajo nuk priti ta pyeste Drejtori, por u skuq në fytyrë si lulëkuqe dhe e mbytën ngashërimat dhe lotët që i rridhnin çurg.
- E di se kush mund të jetë? - pyeti Drejtori.
- Jo nuk e di, unë nuk kam asnjë faj, Zoti Drejtor.
- Të pyes se tek kush dyshon?
- Tek asnjeri, - u përgjigj ajo si nga fundi i dheut. Drejtori e kuptoi se ajo nuk tregonte të vërtetën.
- Ke ndonjë grindje a kontradiktë me këtë Ferrikun në paralelin tjetër që ju në fshat i thërrisni me nofkën “Çpëlak”? Shumica e nxënësve kanë votuar emrin e Ferrikut, keni ju ndonjë lidhje me të?
- E kemi krushk, babai i tij është vjehrri i motrës sime të madhe. Unë as me gojë nuk i flas atij.
- Dakord, mund të largohesh, çfarë diskutuam lëri këtu. Këtë bisedë që bëmë së bashku askujt mos ia trego. Nuk të bën njeri me faj, moj bijë. Shiko mësimet nëse do të vazhdosh shkollë tjetër dhe nëse është autor ky “Çpëlaku”, tregoi vendin, - e porositi ai.
…Kaluan tri ditë pa shkollë dhe e pëgëra ishte ngjeshur si petanik aty mbi bankën e dytë të klasës së shtatë ku ulej nxënëse Mitëria. As Kryepleqësia dhe as Drejtoria nuk e kishin gjetur dot fajtorin, vetëm dyshonin. Dikujt i shkoi ndërmend emri i plakës 89-vjeçare, Hatixhesë, e cila para 21 vjetësh i qe bërë në ëndërr se ishte varrosur e gjallë fqinja e saj, Lumja dhe ajo tundi fshatin me britma e ulërima derisa njerëzia u detyrua të hapte varrin dhe vërtetë e gjetën Lumen të gjallë. Kur ajo vdiq vërtetë, pas pesë vjetësh e lanë tri ditë mbi dhe se mos ajo përsëriste të njëjtin avaz, ngjallej rishtazi. Hatixheja nuk dëgjonte mirë nga njeri vesh dhe duhet t’i flisje fort nga veshi tjetër. Ngarkuan Sekretarin e Pleqësisë t’i kërkonte ndihmë plakës Hatixhe, me nam si gjysmë magjistare që ishte. Ajo nuk dha përgjigje, por të nesërmen, u la, u vesh me rroba të reja, mbodhi një dorë bar-blete në kopësht dhe drejt e u nis tek shtëpia e babait të “Çpëlakut”. Ndali tek shtegu dhe nomatiste nën zë: “Kush bëri të pëgërën në xhami, i mbettë për tërë jetën në turi”!
Njerëzit që kalonin aty e korrigjonin duke i thënë, jo në xhami, por në shkollë.
“Njësoj është”, ua kthente plaka Hatixhe duke vazhduar nomatisjen.
Ditën e shtatë u duk babai i Çpëlakut duke mbajtur për veshi të birin. U ndal përpara Drejtorit dhe i tha:
- Me këtë pllas muti kam gjetur belanë, bëjeni isan se ky është shejtan!
Kaq tha dhe nuk priti përgjigje, por u largua kokëulur. Çpëlaku mbeti aty përpara Drejtorit duke u dridhur si shufra në ujë. Nxorën përjashta bankën e përlyer. U radhitën rrotull të gjitha klasat, mësuesit dhe shumë bashkëfshatarë. Drejtori kërkoi një lugë. Dikush ia zgjati. Ai thirri nxënëse Mitërinë dhe i tha:
- Mbushe këtë lugë me të pëgërën në bankën tënde dhe vurja në turi Çpëlakut.
Nga turma që ishte përpara u ngrit një thirrje e zgjatur “Uuuuuuu…”. Më pas u dëgjua lutja e Çpëlakut:
- Amani, u hëngsha mutin, nuk e bëj më…
Mitëria nuk u impresionua fare nga lutjet e tij, por bëri përpara me lugën plot.
Bankës i vunë flakën. Çpëlaku lagu brekët nga frika se mos digjnin edhe atë.
Epilog
Qysh nga ajo ditë Çpëlaku nuk u duk më në fshat. Nuk harroi kurrë që ata e kishin ushqyer me të pëgërë dhe askush nuk e mori në mbrojtje, as krushkë Mitëria, madje ajo desh i theu dhëmbët me lugën plot. Por kjo histori nuk mbaron këtu. Këto ditë një miku im nga Tirana më mori në telefon dhe më tregoi se Çpëlakut iu pre zëri papritur, u çmend tek rrinte në shtrat, aty nga mesnata. Fjala e fundit ishte një emër i panjohur për gruan e tretë, emri Mitëri. Gruaja e tretë e braktisi pa një pa dy dhe një shok i tij e përcolli me urgjencë në spital. E mbajtën aty fare pak ditë, pastaj e strehuan në azil përgjithmonë. Ishte e pamundur ta bëje zap, bënte si i tërbuar. Për çdo ditë jashtëqitjen e tij e hante ashtu të ngrohtë, duke fëlliqur tërë fytyrën, veçanërisht turirin. M’u kujtua plaka Hatixhe dhe ajo shprehja e vjetër: “Zoti vonon, por nuk mënon”.
© Avdulla Kënaçi - Kanada, 15 shtator 2024