Gëk Mëk - Nga Artan Gjyzel Hasani
nuk habitem
kështu ka qenë gjithnjë
çështje terminologjie
diktatura dhe demokracia e njëjta halé janë
njëra prodhon heronj të rremë
tjetra idiotë të vërtetë
dhe për ta bërë të ndihet mirë
skllavit do t’i vënë emrin I Lirë…
paskëtaj të dyja palët do të mbetën të kënaqura
ata që gjithnjë kanë gjithçka
dhe ata që kurrë nuk dinë asgjë…
kështu ka qenë gjithnjë…
ndryshojnë vetëm nga mënyra se si të heqin qafe…
në mungesë të teknologjisë
e para të vret gjakftohtë me një plumb
e dyta e sofistikuara në fillim të deformon
aq shumë sa të urresh veten
dhe të duash bankat
dhe në fund të skllavëron me dëshirën tënde
duke mos të lënë zgjedhje tjetër veç borxhit…
gjithnjë kush ka më shumë bomba do të fitojë
dhe do të të diktojë verdiktin e Historisë së ndritshme
në gjyqin e Kohës ku dëshmitarët janë dele
e Vërteta gjithnjë do të akuzohet për dëshmi të rreme
në emër të Pleqve të së Keqes
do të vriten Fëmijët
dhe ata që do të mbeten gjallë
do t’i mësojnë ta vizatojnë të bukur
Peshoren e Drejtësisë
dhe sytë e saj të mbuluar
me atë Leckën e Neveritshme…
(nga vëllimi poetik “LIBIDO” 2024)
©artangjyzelhasani