Boyfriend - Tregim nga Sami Milloshi
Në katin përdhes të banesës sonë jeton në vetmi Ruth. Ka nja tre vjet që është bërë me boyfriend. Boyfriend-i i saj është shtatëdhjetëetetë vjeç. Po aq është edhe Ruth.
Qëkurse Ruth u bë me boyfriend, banesës sonë i ra një nur i ri. Të gjithë sikur u gjallëruam.
Ne të katit të dytë, që kemi familje të tipit burrë e grua, secili për hesap të vet dhe Zoti për të gjithë, nuk treguam ndonjë entusiazëm kushedi se çfarë. Por, kur zonja Ruth, ashtu si dashur pa dashur, na thoshte në holl, herë pas here, ca detaje të çuditshme të jetës se saj seksuale me boyfriend-in e saj Jack, sikur u bëmë disi xhelozë. Ndoshta nuk kemi fuqi ta ndërrojmë tipin e familjes sepse jemi pengje të miteve, por kjo nuk do të thotë të mos përpiqemi t'i japim pak energji dhe pak ngjyrë të përditshmes sonë të rrafshtë si shkretetirë...
Ata të katit të tretë, që janë beqarë të hershëm dhe dështakë në bashkëjetesa, filluan të mendojnë se të kesh një boyfriend ose girlfriend, nuk është edhe aq e besdizshme, madje mund të jetë edhe me përfitime reciproke.
Ruth paska thënë se, qëkurse ka rënë në dashuri me Jack, ai i paska shpenzuar nja pesëdhjetë mijë dollarë posaçërisht për të. I paska blerë makine të re, televizor të ri, e të tjera e të tjera, që nuk mund të numërohen të gjitha. Shto këtu udhëtimet nëpër Europë e Azi si edhe pagesat për nja dy operacione kirurgjikale, të cilat Ruth as i ka permendur...
As ne të katit të dytë e as ata të katit të tretë, nuk kemi guxuar të bëjmë investime të tilla. Me sa duket, ne jemi në pranga dhe nuk e kuptojmë një liri të tillë që Ruth dhe Jack po e shijojnë, sikur të ishin në muajin e mjaltit... Ndoshta dashuritë në katet tona kanë vdekur me kohë, por askush prej nesh nuk është kujtuar as të bëjë një ceremoni varrimi për to. Se ndryshe nuk mund të kuptohet që, vetëm pasi Ruth u bë me boyfriend, ne u kujtuam për veten: po ne çfarë do të bëjmë tani?!
Është spektakolare t’i shohësh Ruth dhe Jack krah për krah kur kthehen në shtëpi pasi kanë ngrënë darkë në restorantet e qytetit. Puthen në parking sikur të ishin dashnorë në të njëzetat e tyre.
Ata, me sa duket e dinë, se kur puthen në parking, ne të katit të dytë dhe ata të katit të tretë, lëvizim pak perdet e ballkoneve tona për të parë me bisht të syrit puthjen e tyre, nga që ne, për kushedi se çfarë arsyeje,e kemi harruar puthjen tonë...
© Sami Milloshi



