Publikohet libri “Poezi të zgjedhura” me autor Kristaq Turtulli
Para disa javësh shtëpia botuese ADA në Tiranë ka publikuar librin “Poezi të zgjedhura” me autor shkrimtarin e njohur korçar me banim në Toronto, Kristaq Turtulli. Redaktor i librit është poeti Iljaz Bobaj, korektore Kristina Turtulli ndërsa kopertina mban autorësinë e Virgjil Turtullit.
Vetë autori përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook falenderoi veçanërisht botuesit si dhe shprehu mirënjohen ndaj familjes për ndihmesën në publikimin e kësaj përmbledhjeje me 130 poezi me rastin e shtatëdhjetë vjetorit të lindjes.
Ndër të tjera, në parathënien e librit, redaktori Iliaz Bobaj thekson se poezia e Kristaq Turtullit, tek e cila tashmë mbizotëron pjekuria artistike, është e mbushur me mall të thellë e të dhimbshëm për atdhenë e largët, për vendlindjen, Korçën e tij të dashur, për prindërit që përherë ikin dhimbshëm nga kjo botë, për traditat tona të rralla dhe bukuritë e trojeve tona, për gjithçka të atdheut të vet, por edhe për gjithçka të bukur e njerëzore. Tematika e poezisë së tij ka një shtrirje universale dhe, për pasojë, edhe mesazhe universale, që vlejnë për këdo.
Flasshqip.ca e uron përzemërsisht autorin me rastin e botimit të përmbledhjes “Poezi të zgjedhura”, libër të cilin lexuesit në Kanada do mund ta gjejnë të ekspozuar edhe në stendat e Albanian Boook Festival që do të zhvillohet pas dy javësh në Toronto, në datat 30 nëntor - 1 dhjetor.
© Flasshqip.ca