Krijimtari

Belvedere - Nga Artan Gjyzel Hasani

mysafirë të vetes jemi

jetojmë më shumë te tjetri

bredhim nga zemra në mendje

një lëndinë plot lule

me një kalldrëm në mes

hiri i shkëndijave është aty

aty dhe zjarrfikset e trurit

muzeu, spitali dhe varrezat

e sistemuara aq bukur

ikim pa e mësuar ç’është më mirë

të jesh dashuria e parë e dikujt

apo e fundit

kur plakesh kjo nuk ka rëndësi

shkojmë nga shkojmë

vdesim te vetja

si betejë e fituar në një luftë të humbur

e shihni atë burrin që nuk ju sheh kurrë?

ai jam unë

dhe zemra e tij është një qytet i dehur

ku e çmendur shëtit mendja…

© artangjyzelhasani 2024