Krijimtari

Nën zërat e Babelit - Nga Flurans Ilia

 

Ata kërkojnë uniformën

E ushtarit të panjohur

Pasi Paqja u nënshkrua

Në mungesë të trupit

 

Kërkojnë lugën bishtshkurtër

Logo-n e vakët krahaqafë

Pas murit të çmendinës

Nën zërat e Babelit

 

Jashtëtokësorë unanimë

Togëzuar te porta e klikimeve

Pëlqimeve pasi e kryejnë

Me njerzillëk krimin

 

Mbi lëkurën e brishtë

Të vëllait a motrës së mitur

Që kur lindi refuzoi

Të lindë "ashtu si duhet"

 

Ngjizur opiumit të televizitorit

Kërkojnë të singjashmin e vet

Njëfarë heroi hollivudian drite

Udhëtimeve drejt Bethlehem-it

 

Me celuloid në dorë

Rreth ekranit bërë kurorë

Shpik përditë të ardhme

Të tashme të pakuptimtë

 

Ku burri dhe gruaja janë arte

Të së shkuarës qyshkur

Mes tyre zbriti celulari

(Ça je t'u thonë o rrotë kari?)

 

Po përpiqem të jap një dorë

Të gjesh vëllain tënd

Këtë "ushtar të panjohur"

Pas kangjellave të Babilonit

 

Krehur nga motrat e tranzicionit

Kërkojnë me ngulm lugën pa bisht

Harruar në xhepin e uniformës

Si të ishte një karafil i kuq

 

Vepër arti a ndoshta plagë

Në sepetet e virgjërisë

Sëndukut të rrëfimit, mbyllur

Gjyshja mbartte ftonjtë e artë

 

© Flurans Ilia - Dhjetor, 2024