Krijimtari

Dy poezi gri - Nga Vangjush Ziko

Ngjyra e hirit

Më pëlqen ngjyra gri

(ngjyra e hirit)

s’është e bukur,

e zbehtë është,

akull e ftohtë,

Është hiri i drurit

që më mbajti ngrohtë

një dimër të ftohtë,

ngjyra e ëndrrës

që digjet një jetë

për një të vërtetë.

 

Vargu gri

I zbatha këpucët e rënda

me gozhdë,

mbatha fjalët

me pantofla të buta pendë

të hyj në shpirt,

nuk hyra dot,

i flaka,

vesha vargun

me dhimbjet gri të jetës

të flas për ato

që vetëm një shpirt i di.

© Vangjush Ziko