Njeriu nën dy çadra - Tregim nga Sami Milloshi
Jashtë binte një shi i imtë pranvere që të detyron ta marrësh çadrën me vete. Por tash shiu ka pushuar.
Unë dhe im vëlla jemi brenda në kafene. Jashtë kafenesë, është njeriu me dy çadra. Kafeneja ka një tendë të madhe që e bën të pamundur qe shiu t'i lagë njerëzit nën të.
Por, njeriu nën tendë, megjithatë nuk e mbyll çadrën...
- Shihe atë njeri me dy çadra njera mbi tjetrën, - thotë vëllai.
Kthej kokën. Përtej xhamit është ai duke gjerbur kafenë dhe duke tymosur cigaren. Bëhem gati të shkrep celularin për një foto.
- Mos! - thotë vëllai - mos ia prish vetminë, kush e di se për çfarë është duke ëndërruar.
Bëj si më thotë ai, nuk e fotografoj.
- Ka rrëshqitur i shkreti nga tepeleku i kresë, - shton vëllai - ndryshe nuk ka si shpjegohet mbajta e asaj çadre hapur, nën tendë.
- Dhe për më tepër, - shtoj unë - që edhe shiu ka pushuar...
- I ka fajet vaksina e pandemisë, - thotë vëllai.
- Mirë e ke, - i gjegjem - aq më tepër, se, siç po thonë, ajo as vaksinë nuk ishte fare...
- Mos u fut në të thella, - thotë vëllai - ne nuk mund ta dimë a ishte, a nuk ishte vaksinë. Përqendrohu tek ai njeriu që rrotullon çadrën nën tendë. Ai e ka një hall të madh...
- Është krejt e mundshme, - ia kthej unë.
Më në fund, përanash tendës së kafenesë kalojnë dy vajza të reja. Qeshin me njera tjetrën, teksa kthejnë fytyrën kah burri me çadër hapur.
Ndërkaq, me gjasë vajzat diç biseduan me të. U pa se pas këtij çasti, ai e mbylli më në fund çadrën.
- Më duket se vajzat e kujtuan se shiu kishte pushuar, - thashë unë - prandaj edhe e mbylli çadrën.
- Ne nuk dëgjuam gjë - shtoi vëllai - por ka mundësi të ketë ndodhur kjo që thua ti. Por, tek e fundit, ato vajza iu gjendën në hallin e tij, se ai e ka një hall...
- Kështu duket, e ka një hall, ndoshta edhe të madh...
- Por, tek e mbramja, atij iu gjend dikush në hall, dhe ai, prandaj e mbylli çadrën.
Dhe kjo është mrekullia e tetë e botës...- tha vëllai.
© Sami Milloshi



