Krijimtari

I juaji vertikalisht virtual - Nga Artan Gjyzel Hasani

prindërit prej vitesh jetojnë në botën tjetër

në botën e vërtetë

çdo përvjetor unë vë fotografinë e tyre

në murin virtual

të shtëpisë sime virtuale

ndez qirinj virtualë

i kujtoj virtualisht

përlotem e qaj

rrethuar nga zemra të thyera virtuale

pastaj vijnë miqtë virtualë dhe ata

sa më shumë plaken aq më shumë virtualë

me ngushëllimet virtuale

dhe unë i takoj një e për një

me respektin virtual

vertikalisht virtual i pres e i përcjell te dera virtuale

pastaj përvjetori virtual kalon

dhe vjen mesnata reale

bashkë me të edhe prindërit

që për të më treguar që janë akoma gjallë

fshijnë këpucët me baltë te dera

më përqafojnë me merak

psherëtijnë thellë brenda gjoksit tim

dhe ndërsa ndez një zjarr bubulak që ata të ngrohen

malli digjet...

të pashkrirë fiken qirinjtë…

(nga vëllimi poetik “OPIUM” 2025)

© artangjyzelhasani