Asgjë tjetër - Nga Artan Gjyzel Hasani
gjysmën e jetës e kalojmë duke u mbrojtur
nga thikat e atyre që kujtuam se na deshën
gjysmën tjetër duke shpresuar e pranuar
miqësine e armiqve që rezultuan të padëmshëm
dhe jeta ka veç dy gjysma për fat
një gjysmë e tretë do të ishte e mjaftë
për t’na i çuar parajsat në ferrin e zjarrtë
dreqi ta hajë këtë luftën tonë të pafund
akoma në sheshbeteja të reja do të vemi?
idiotë të dashur luftarakë
dhe ju intrigantë të pabesë
në të vërtetë
kjo jetë e dhjerë që ikën kaq shpejt
dhe e shajmë me fjalët më të shëmtuara
është e vetmja gjë e bukur që kemi...
(nga vëllimi poetik “OPIUM” 2025)
© artangjyzelhasani



