Kukulla - Tregim nga Ilir Gjini
Country News, një gazetë e përditshme online, i hapi lajmet “periferike” të së shtunës me një shkrim që bëri shumë bujë. Robert J. një inxhinier i ri kishte shpikur një kukull inteligjente e pagëzuar si “Fallxhorja”, e aftë të bashkëbisedonte, madje të parashikonte edhe të ardhmen. Lajmi u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale… “Fallxhorja tani ju bën shoqëri” - për gjithë ata që ndihen të vetmuar. Kjo shpikje do ia ndryshonte jetën Robertit.
Miracle, një kompani nga më të suksesshmet e tregtimit online e shtrirë në të katër anët e globit, tani gati po i lutej të pranonte postin e drejtorit të programeve kompjuterike. Ata e refuzuan një vit më parë, duke punësuar një ish-shokun e tij të universitetit, çka e preku thellë në sedër, por “Fallxhorja” ndryshoi opinionin e drejtuesve të Miracle.
Tani po ia ofronin postin e drejtorit me pothuaj dyfishin e pagës. Madje do kishte edhe shofer personal. I mikluar nga suksesi, shkoi në zyrat e Miracle për të nënshkruar kontratën. I dukej vetja si një gjeneral që sapo kish nënshtruar ushtrinë kundërshtare pa luftë, vetëm me demostrimin e forcës. “Miracle tani po nënshkruan kapitullimin” … e përmendi zëri i ëmbël i zëvendëspresidentes. I duhej të nënshkruante. Vuri firmën si me përtesë, pa shprehur asnjë grimë kënaqësie.
“Shoferi nuk më duhet, do përdor makinën time”. Zëri i tij kumboi në sallën e zbrazët. Në fakt kishte një makinë të personalizuar, dhuratë nga kompania e makinave elekrike Prime, ku kishte ndihmuar në përsosjen e sistemit të vozitjes pa shofer. Nuk u infektua nga mëndjemadhësia. Madje edhe ish-shokun e kursit që i kish zënë vendin e drejtorit, e mbajti si ndihmësin e tij.
Punonte pa pushim me orë të zgjatura, duke shkurtuar orët e gjumit në pesë. Puna deri diku ia shpërbleu mundin. Vetë presidenti i Miracle i dha shpërblim një çek 30-mijësh, aq sa kishte edhe vitet e moshës. Madje edhe dy javë pushime të paguara në Karaibe, për përmirësimet që ai i bëri sistemit kompjuterik të sigurisë. Vetëm në jetën intime gjërat nuk i shkonin si duhej. Po kalonte të 30-tat dhe ende nuk kishte të dashur. Shokët shpesh e ngacmonin duke i thënë se bën seks vetëm me kompjuterin. Ndërsa sipas Brian, shokut të tij më të afërt, ai nuk krijonte lidhje ngaqë tastiera i dukej si gjoks femre. Në fillim qeshi me shakanë e tij të trashë, mirëpo një mëngjes teksa po shtypte në tastierë, iu duk sikur po prekte vërtetë një gji të fortë femre. Vetëm kur e përmendi pëshpëritja e sekretares së tij Emanuel se po e kërkonte shefi i madh, kuptoi se ishte gjoksi i saj që e kish prekur ëmbëlsisht te supi.
Emanuel ishte me të vërtetë e bukur. Ajo shpesh e provokonte duke ekspozuar si pa dashje kofshët e saj të derdhura që me zor ia mbulonte minifundi. Madje njëherë e ftoi të darkonin së bashku, po ai e refuzoi me mirësjellje. Ndihej i pasigurt me femrat. Student kishte pasur një lidhje të shkurtër që i qe shndërruar në mankth. Pas disa takimesh e puthjesh të zjarrta, në finale kishte kapitulluar. Teksa përballë një pritje e ëmbël kish ngritur siparin dhe e ftonte, pati droje të shfaqte lakuriq trupin e tij të squllët. Prej asaj dite nuk morri më guximin për të pasur një lidhje. Brian që ia dinte deri diku të fshehtat, e nxiti të regjistrohej ne një faqe të sigurt njohjesh online, të krijuar prej tij. Pati disa takime, po asnjëra nuk e bindi.
Shkoi edhe në kishë të rrëfehej dhe një frat i mirë e inkurajoi t’i vazhdonte takimet. Dhe vërtetë pas disa muajsh takoi një vajzë tëpër interesante, me të cilën përputhej. Ajo punonte si programatore dhe njësoj si ai, të “dashur” kishte vetëm kompjuterin. Shkëmbyen puthje pasionante, por iu duk se pështyma e saj kishte një shije paksa ndryshe. Disi të kripur, si shija e lotëve. Njëherë teksa ajo kollitej, i ofroi facoletën e tij, të cilën më pas e coj për egzaminim në një laborator. Mjeku i tha se kishte një ngarkesë më të lartë mikrobiale, por që nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Ndërsa Brian e këshilloi të hidhte hapin final.
- Kam frikë se turpërohem si herën e parë, - pëshpëriti dhe fytyra i ngriu si një server që sapo i janë fshirë të dhënat.
- Preke ëmbël dhe imagjino sikur po shtyp në tastierë gërmat e fundit të programit tënd perfekt “portat e sigurisë”. Me siguri do ta kapërcesh portën e “ferrit”, ngaqë të dy jeni të virgjër, - e kurajoi Brian.
Ndoqi këshillën e Brian dhe të nesërmen e ftoj Stelën në shtëpinë e tij. Në pritje të saj, për të larguar ankthin, ndezi cigare pas cigaresh, që gati po i përtypte. Ajo u shfaq e shpenguar, disi e brishtë, çka ia largoi pak frikën. E zhveshi ngadalë si një pemë që vjeshta ia rrëmben si trofe të gjitha gjethet. E preku ëmbëlsisht me gishtat që i dridheshin dhe para syve i shfaqej ekrani që gërmëzonte rreshtat e fundit të programit… por papritur iu duk sikur një plasaritje u shfaq në ekran. Një zhurmë ritmike i ushtoi në vesh dhe ekrani u thërmua si kokrriza kripe. Brofi në këmbë dhe vrapoi duke u përplasur me muret. Disa çaste më vonë kuptoi se qe aktivizuar sistemi i alarmit. Disa copëza letrash po digjeshin pa flakë, nga cigarja e ndezur.
Dështimin e dytë e përjetoi më keq se të parin. U mbyll në guackën e tij të ekraneve e serverave, që atij i dukeshin si vena humane që pulsonin gjak. Teksa punonte pa pushim, Stela i fanitej herë pas herë në ekranin e kompjuterit dhe i buzëqeshte ëmbël. Vendosi ta bënte të tijën, por në një formë tjetër. Iu drejtua kompanisë “Seks i sigurt” që ofronte kukulla seksi dhe porositi një të tillë me tiparet indentike të Stelës. Puthjet me sozinë e Stelës nuk ishin pasionante, por ndihej mirë pasi pështyma e saj nuk kishte shije të kripur. Dështoi në orvatjen e parë, sepse në hapin final iu kujtua Stela reale.
Kujtimet e mbetura që dalin në sipërfaqe, si gurët e detit të latuar nga dallgët e kripura, që zbulohen papritur kur uji tërhiqet nga zbatica, e ngurtësuan sërish. Dështoi dhe herën e dytë, ngaqë komunikimi me të nuk qe i rafinuar dhe fliste vetëm për seks. Vendosi t’ia fshinte programin dhe iu vu punës të krijonte një karakter që i përshtatej. Pas gjashtë muajsh të mundimshëm studimesh e riprogramimesh, gjithçka ishte gati. Kishte krijuar një mrekulli gati hyjnore. Ajo qe e aftë ta kuptonte edhe pa folur, duke lexuar sytë e tij. Tepër i lodhur, po i ngazëllyer nga triumfi, u kthye në shtëpi vonë pas pune. Ajo i futi krahun dhe e ftoi në dhomën e saj.
- Kush je ti?
- Stela, krijesa jote.
- Çfarë kërkon?
- Asgjë. Desha të të ofroj pak kënaqësi, - i pëshpëriti ajo dhe zbërtheu gjoksin e saj të plotë.
- Një sekondë, sa të çaktivizoj sistemin e alarmit, - i tha ai dhe i ktheu krahët.
- Hajvan, e çaktivizova unë, - i pëshpëriti ëmbël afër veshit dhe e preku lehtësisht në qafë.
Prekjet e e saj e elektrizuan të tërin, sa gati po i shpërthente llava. U hodh mbi të si një grabitqar që mbërthen me thonj prenë e vet dhe shfreu mbi të gjithë dështimet e deri më sotme.
Një javë më pas Country News e hapte faqen e parë me një lajm të çuditshëm: “Inxhinieri i famshëm Robert J. kërkon të martohet me një kukull”. Prifti i urtë Jozef i kishës “Our Lady” pësoi arrest kardiak teksa po shkëmbente kurrorat në kokat e çiftit kur kuptoi që zonja që po martonte ishte një kukull.
© Ilir Gjini - Toronto, 13 dhjetor 2025


