Krijimtari

Dy pëllumba shkruan fjalën ikje...

 

Kristaq Turtulli

Dy pëllumba shkruan fjalën ikje...

Dy herë kumboi ora asaj dite.
Në kullën e dy zemrave,
Dy pëllumba s’mundën të dytë puthje,
U trembën, sqepkthyer ikën tutje.
Në qiellin e brymtë,
Shkruan fjalën ikje.
Më kot prita. S’erdhe.
Toka, dielli, hëna hynë në eklipse.
E martë ishte,
Dy pas dite.
Qielli i zemrës u mbush me re.
Ç’ mund të bëja drita ime.
U krodha në oqeanet syve.
U gjenda mes shtrëngatave dhe tajfune.
S’ mund të mbahesha mbas qerpikëve,
Të ëndrrave, 
Qenë elastike.
Lojë u bëra në gojë të krokodilëve.
U thitha prej thellësive...
O Zot, përsëri ishe aq e befasishme,
E pushtetshme,
Nazike
Magjike!
Janar ishte,
Jashtë, mbi ujin e ëndrrës qe natë,
frynte erë,
Binte borë,
Bënte ngricë.
Dhelprat shkisnin në akullin e fortë...

Tagged under Kristaq Turtulli