ID në qarkullim!
Artan Gjyzel Hasani vjen me vëllimin e ri poetik të titulluar "ID". Nënbota e thellë e shpirtit, e quajtur ID sipas Freud, kthehet mes vargjesh në ID, kartë artistike identiteti e autorit, e pse jo, edhe e lexuesit të pritshëm.
Flasshqip publikon dy prej poezive nga ky vëllim, i cili gjendet në librari.
Luleplaga
lulet kanë zënë kore
e plagë aromatike më mbulojnë të tërin
si detin kujtimet e marinarëve
dhe gëzoj si dhimbja kur dehet
me çka mbeti…
gjaku nuk u bë ujë,
por lot
dhe plaga erëmirë çeli lule të reja
që mbajnë erën tënde
nën gushën time
aty ku
u mbollëm
u mblodhëm
u mbyllëm
si fjalët brenda heshtjes...
Me një kohë vonesë
shtrëngata e lodhshme mbaroi
por nuk kam kujt t’ia tregoj
qiellin e kaltër…
nga buzët e plasura të reve
drit’ e vonuar e jetës puth hijet tona
si një vdekje e parakohëshme…


