Një nesër tjetër
NJË NESËR TJETËR
Nesër
do të thotë dita tjetër
akoma nën gunën e natës strukur,
duhet të zgjohet
pa t'i them mirëmëngjes
prognozës së bukur.
Kafe e mëngjesit buzë trotuarit
më erdhi me kajmak,
gazeta si më parë
me pika gjaku
nga afër e nga larg.
Çdo mëngjes pres
të gdhihet një nesër tjetër
t'i them mirëmëngjes,
(qoftë e vrenjtur pus,
me rrebeshe e lus),
vetëm
pa këtë makth në shpirt,
pa tatuazhe gjaku
në mish.



