Krijimtari

Por jo...!-Poezi nga Artan Gjyzel Hasani

Nga: Artan Gjyzel Hasani

POR JO…

...nuk mund të jesh dhuratë Krishtlindjesh ti!
dashuria ime është pagane…

nën puthjen plot afsh
bëhesh hark
triumf tingujsh që s’paskan ikur pakthim
notë e munguar në pentagrame...
dëborë stradivarësh nga sytë e tu
mbi paganinët e dehur të shpirtit tim…

nuk e di nëse jam ai që njohe dikur
kur emrin tënd netëve e thërrisja
në dymbëdhjetë shenja horoskopi kryqëzuar
edhe 13 vjet do të të prisja…

vërtet ka shumë vetmi në botë
dielli i mallit cilin nuk përflaku?
por ata që janë të lumtur edhe të ndarë
mund të jenë të lumtur dhe sëbashku…

artangjyzelhasani 2012

Tagged under Artan Gjyzel Hasani