Krijimtari

Privilegj i gënjeshtërt (kolazh poetik nga Artan Gjyzel Hasani)

Kolazhi i mëposhtëm poetik (janë tre poezi të bashkuara) është shkruar kur shkrimtari i njohur Artan Gjyzel Hasani ka qenë maturant 17-vjeçar në gjimnazin e Peshkopisë (1979-1980), pra rreth 40 vjet më parë dhe, për arsye të kuptueshme, ato janë botuar gjatë viteve 90-të...

* * *

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’gënjeshtër fatale, ç’mashtrim,
midis dhjetra krahëve flokëgjatë
të zgjedhësh një të vetëm përqafim…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
Ç’lumturi dhe njëkohësisht ç’tmerr,
tërë botën të falësh për një zemër,
për një zemër që tërë botën të merr…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë!
më i rremi qiellori privilegj
që diellin ta dhuron ndër duar
e hënën nga duart ta heq…

Të jesh i dashuruar dhe i lirë,
dy ëndrra që s’bëhen kurrë një,
perëndim që bujshëm largohet
e madhështinë një muzgu ia lë…

* * *

Por veç një dashuri nuk mund të ketë,
e përse u dashka të jetë vetëm një,
mos vallë ngaqë kemi veç një jetë
edhe vdekje vetëm një?

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
as det veç me një dallgë,
qiellin s’mund ta ndrisë vetëm një kometë,
rrugë e jetës nuk bëhet me një hap.

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
lumi që rrjedh nuk rrokullis veç një gur,
se edhe zemra veç një herë nuk troket,
stinët e jetës nuk pushojnë kurrë…

* * *

Ç’bëhet dashuria kur dy vetë ndahen,
vritet e plagoset,venitet a tretet,
ç’bëhet dashuria kur lotët e saj thahen,
prostitutë bëhet apo murgeshë përjetë mbetet?

Ç’bëhet dashuria kur ëndërr e bukur kthehet
në torturë absurde të çmendurisë mani,
nga krahët e harresës vallë rrëmbehet
apo mbi fytyrën e bukur hedh thjeshtë një vel të zi?

Ç’bëhet dashuria kur hapat largohen,
pret në udhëkryq pa ditur nga të shkojë
apo njërin nga ata që duan të harrohen,
me kujtimin e tjetrit nga gjumi do ta zgjojë…?

(1979 - 1980)

Tagged under Artan Gjyzel Hasani