Krijimtari

Arrestimi – Nga Vangjush Saro

(Fragment nga romani “MISIONI”)

Në këtë kohë, u dëgjuan zëra, në Paradhomë po bëhej zhurmë; dikush po trokiste fort në derë. Doktori iu lut infermieres të dilte e të sqaronte njerëzit që këtu ishte me radhë puna. Por pa u hapur mirë dera, ia behën brenda katër policë, të ndërkryer, me sy aspak miqësorë.

-Qytetar Budalla? - pyeti ai më budallai mes tyre.

-Bedalla, - korrigjoi infermierja.

-Po. Qytetar Bordello? Do të vini me ne!

-Pika që s’të bie! Por fundja, për ku kështu? - Profesori po vishte këmishën. - Pra, doktor, ju mendoni se…

Polici që foli dhe, i cili, me sa dukej, kishte njëlloj përgjegjësie në Grupin e Gatshëm, e kapi “qytetarin Bordello” për krahu dhe filloi ta tërhiqte osh, gati sa nuk ia grisi këmishën. Tjetri, që mbante në dorë një letër bakalli - ndoshta ai ishte numri 1 i njësisë - dha ta sqaronte disi në mënyrë më të sjellshme:

-Xhaxhi, ka një akuzë për ju. Do t’ju bëhet e ditur në kohën e duhur….

-Nuk ka akuzë që të trembë Misionin tim! - Profesori e deklaroi këtë duke ngritur lart gishtin tregues të dorës së djathtë, njësoj sikur të ishte duke filluar një fjalim.

-Po ç’ka bërë, more aman? - Doktori, nga ana e vet, nuk po kuptonte asgjë. - Ç’ke bërë, o profesor? Edhe, që t’i vëmë kokë bisedës, siç po të thosha, do të shtojmë pak dozën e ilaçeve… Po daleni, o njerëz, nuk rrëmbehet kështu pacienti…

Policët e vunë përpara Ndrio Bedallën.

-Një gjë po ju them, sa për hyrje, - vazhdonte shpjegimet profesori, duke rregulluar ndërkaq sendet e veta. - Bota ka bërë një apel dhe ne duhet t’i përgjigjemi. Në këtë punë, unë mund të thyej kokën dhe nuk e kam problem asfare. Lukunia financiare, politike dhe mediatike, sistemi i pamëshirshëm e gërryes që ata kanë krijuar, ja pra kush i bën natyrën dhe njerëzimin të lëngojnë. Pyetja shtrohet: Si t’i shpëtojmë ato? Ky është edhe inspirimi nga lindi Misioni…

Por me sa dukej, atje askujt nuk i bëhej vonë për brenga të tilla. Grupi i gatshëm, i shtuar tani edhe me profesor Ndrio Bedallën, doli gjithë me zhurmë nga dhoma e vizitave. Doktori dhe infermierja e shoqëruan disa hapa, por ai që kryesonte trupën policore ua ndaloi të shkonin më tej.

Në Paradhomë, pastruese Maria po ndukte faqet edhe dukej sheshit që i vinte shumë keq. Profesor Bedalla ecte midis policëve dhe ndërkaq jepte e merrte me miqtë e tij. Doktor, çdo gjë është në rregull. Marie, mos u ligështo, ne për një qëllim të lartë mund të flijohemi krejt… Na! (I hodhi një pusullë, që tjetra e kapi menjëherë.) Këtu ke numrat e telefonave të asistentit tim dhe të djalit… Iu thuaj atyre se monopolet e filluan hakmarrjen. Të njoftohet edhe z. Shrëder, në Agjencinë e Natyrës në Zvicër. Amanet biçikletën, atje te shtylla! Të hidhen një vrap edhe nga shtëpia e të kujdesen për Tuçin. Kush është Tuçi? Qeni, qeni. Mirupafshim!

Tagged under Vangjush Saro Misioni