Dasmë perëndish-Nga Vangjush Ziko
- Nga: Vangjush Ziko
Shi me diell kam parë
martohen ciganët,
hedh qielli diamantë
me vezullime acari,
daulles së ngrirë të liqenit
i bie me shkop prej ari
vetë dielli,
flokët e borës vallëzojnë
si mjelma liqeni
nga baleti i Çajkovskit,
nusen tokë mbulojnë
me vellon kockë,
me fishkëllima acari
kallamat e ngrirë këndojnë,
qiellin me tokën
perënditë martojnë.
20 Janar, Toronto, -30 C



