Vizatova në dritare - Nga Vangjush Ziko
Drurët
me gishtat e mpirë eshtakë
numërojnë ditët
që nga ikja e zogjve,
Dritaret e pallateve
mbetën me sytë në horizont
duke pritur diellin t'i ngrohë,
Njerëzit ecin rrugës
me peshën e reve
dhe mendimeve të hirta
mbi supet e tyre të lodhura,
Vizatova në dritare
një karvan me pata
që kthehen,
një ëndërr të harruar
ngjyrë manushaqe,
nuk e di sa më besuan.



