Krijimtari

'Dekorimi'-Tregim nga Vangjush Saro

Sot, në këtë ditë të shënuar, më jepet mundësia t’ju përshëndes me rastin e dekorimit tim… Hm! Edhe njëherë: Të dashur miq! Z. Drejtor! Sot, në këtë ditë të shënuar… duhet të mposht emocionet që të mund të them se sa shumë më ka nderuar ky dekorim… 

Emil Plasa ende nuk po vendoste dot se si duhej ta fillonte fjalën e tij të falenderimit; kur të vinte puna. Ai kishte përgatitur disa variante. Por nuk ishte i qetë, sidomos kur dëgjonte (dhe dëgjonte dita-ditës) për dekorime, çmime, fletë-nderi, që plasnin në qytet si fishekzjarre. Tani ato (fishekzjarret) kishin pushtuar edhe komunat, fshatrat… Bir i nderuar. Bijë si flori. Djalë i dalluar… 
Ani. Për së pari, atij i duhej të mendonte për fatin e tij dhe të thurrte me kujdes fjalën e tij. Sot, në këtë ditë të shënuar, unë… Qëkurse Sekretarja kishte kërkuar CV-të e disave prej tyre, Emili filloi të mendonte si do të ishte ai çast, do të këndonte celulari, do të binte porta… Z. Plasa, ja edhe dita juaj! 
Në mbrëmje, kur erdhi për vizitë i vëllai, biseda zu të qasej për çfarë atij i qante zemra. Dikur, e tha disi me takt:
-Herë pas here, ka dekorime… 
-Atë do ta dekorojnë, - e plasi fishekzjarrin sakaq e shoqja, Maria. 
-Bravo! - e përgëzoi i vëllai.
Dy ditë më pas, ia behu dikush nga fshati. Ende pa vënë gotat në gojë e, ndërsa mysafirit i kishte ngecur në fyt një copë vezë e zier, ata çelën sërish të njëjtën temë.
-…Sepse dekorimet janë një moment i rëndësishëm, - po thoshte Emili.
-Atë do ta dekorojnë, - recitoi menjëherë edhe Maria. - I kanë marrë CV-në…
Por tjetri nuk arrinte të fliste ende… prej asaj dreq veze. Maria kishte vënë ndërkaq në stufë një dorë gështenja nga ato që kishte sjellë mysafiri. Dikur, nja dy nga ato ia bënë “Pafff!” dhe Emili kërceu sakaq: “Dera! Dekorimi!” “Jo jo, - tha Maria - ishin gështenjat”. Kurse mysafiri më në fund kishte mundur të gëlltitej dhe duke bërë shenjë se donte një gotë ujë, tha ashtu mbytur:
-Bravo, Emil!
Mirë mirë, por kështu sikur i thonë gomarit kur del nga balta. Mendoi Emili. Se… koha po shkonte pak si me nge. Njëherë që kishte ndalur këmbët përpara derës së Drejtorisë dhe kishte vënë veshin, se i qe pandehur që po flitej për temën e rëndësishme, atje po grinin sallatë për futbollin. Po. Koha çapitej kaq ngadalë. Kurse ai, në çdo bisedë që hapej lart e poshtë, përpiqej ta drejtonte timonin “këtej”… Sepse gjithmonë ka dekorime. I dalluar. Nëpunës. Intelektual që lartëson lartësinë e Komunës…
Kur dukej andej nga Sekretaria, kinse i duhej ndonjë pajisje a letër, i ngacëllente sytë si ndonjë maçok në pritje të tasit me qumësht. E gjithë qenia e tij pyeste nëse kishte ndonjë gjë të re… Për shembull, ndonjë fletë-nderi. Sidomos tashmë që e kishin siguruar këto nderime: vëllai i Shefit të Komisariatit, një krushk i Kryetarit të Bashkisë, mamia e gruas së Deputetit… A, tani ishte radha e tij. Të dashur miq! Z. Drejtor! Sot, në këtë ditë shënuar, unë, me rastin e… 
Fjalën duhej ta rishikonte.


Koha nuk ishte me te. Po mbushej muaji qëkurse i kishin kërkuar CV-në. Jo. Nuk ishte me të; po bëhej hileqare. Z. Drejtor! Miq e të ftuar! Sot, në këtë ditë të shënuar e të ndritshme… 
Edhe pse njeri mjaft i duruar, në një nga këto ditë ende pa dritë a të pandritshme, Emili prapë qëndroi si rastësisht pranë derës së Drejtorisë dhe vuri veshin… Që andej vinin zëra; pëshpërima. Ore, edhe mjaullima le të ishin, vetëm të mbanin fjalën edhe t’i jepnin dekoratën. Ë? E ngjeshi veshin mirë… Por në këtë çast, dikush nga brenda e hapi derën menjëherë dhe Emili humbi ekuilibrin, që nuk se e kishte me tepri; edhe një t’u luhatur, një sekondë a gjysmë aso, oooo, në atë gjysmën e mbetur ra shakull në këmbët e drejtorit. Kush e hapi derën? Ç’janë këto sjellje prej… prej prej… Ku janë dekoratat, mo? 
-Mirë je, Emil? - se kush pyeti.
Ai ishte ngritur ndërkaq dhe bënte sikur po fshinte rrobat.
-Ka rënë tërmet në Japoni… - tha i ziu me duart ngrehur, sikur të donte ta vizatonte kumtin e tij.
Pati një heshtje për pak. Drejtori, duke parë përqark disi turbull, iu kujtoi edhe njëherë vartësve mbrëmjen me rastin e Ditës së Shën Valentinit. Kurse Emili, duke ikur tutje, sa nuk po qante. Të poshtrit! Të marrin CV-në, flasin për dekorime, nderi këtu e nderi atje, dhe pastaj të torturojnë me pritje, pritje, pritje.


Por nuk qe ndonjë pritje shumë e gjatë. Dhe për më tepër, sot mori rrugë puna. Dikush lëvizi nga njëri sektor në tjetrin. Ja për këtë ishin kërkuar disa CV… Sa të marrë që janë! Kështu do t’i thoshte ai gruas kur të kthehej në mbrëmje. I padekoruar. Do t’ia rrëfej më vonë. 
Ashtu edhe bëri; ndërsa gjerbnin supën. Po që i kishte hedhur shumë kripë ajo shushka… E dinte mavria se si kishte rënë ai atje, te Drejtori? Asgjë nuk dinte. Prit dekorimin, Marie, prit… Ehëëë! Sa vate ora? Jashtë, ia kishin filluar qentë. Ham-ham! Ama, komuna diç po përgatiste. I kishin thënë. Epo, ai do të ishte në këtë listë patjetër. Ham-ham! Ëndërrimtar i dalluar. Manjak. 
Ra të flinte por nuk i qasej gjumi. E pse të mos kishte fletë-nderi këso? Dikush, diku, duhej të mendonte me doemos për ta dekoruar atë. Kjo nuk shkonte. Por shkoi një lot nëpër faqe. Të poshtrit! Sa vate ora, moj? Ou, ia kishte futur gjumit fishekzjarrja… Jo. Nuk shkonte fare. Iku kot edhe fjala… Unë, në këtë ditë të shënuar… U shënofsh atje, si i thonë… Nëpunës i dalluar… Ham-ham!