Kur qajnë sytë e tu – Nga Vangjush Ziko
Kur qajnë sytë e tu
troket vjeshta në shpirt,
qajnë dashuritë,
mëritë,
kapriçiot
(që qajnë kuturu),
dhimbjet që lotët gëlltitin.
Kur qajnë sytë e tu
mos i beso botës që sheh
(e ka veshur mjegulla),
qajnë ëndrrat
nën retë e tua vetulla.
Kur qajnë sytë e tu
mos i fshih
as mos i fshi
lere ta marrë vjeshtën era,
në qoftë se lotin
dimri ta ngriu
vjen të ta shkrijë pranvera.



