Krijimtari

Parajsa - Nga Vangjush Ziko

Me pelerinën e një reje

përzhitur prej diellit

hedhur mbi supet

erdhi nata

të verë në gjumë qytetin,

azilet i gjeti

me ëndrra të trazuara pleqërie,

në kopshtet e fëmijëve

qanin lodrat për varfërinë,

reklamat e vitrinave

pulsonin nga ethet e krismave

dhe të orgjive,

piu nata kafenë e dhjetë

me gllënjka të hidhura

në barin buzë autostradës

dhe i dorëzoi mëngjesit

çelësin e ndryshkur

të parajsës.