Krijimtari

Retë - Nga Vangjush Ziko

Avullojnë detet

dhe bëhen delfinë,

ajzbergët blerojnë

dhe fokat kullosin,

kënetat thahen

zvarrisen zhapinjtë,

gëmushat e maleve

bëhen arinj,

mendimet e mia

bëhen lejlekë,

për ku fluturojnë

as unë s'e di,

s'e dinë as retë

në vathën e qiellit,

çobani diell

i mjel e i qeth,

siç na qeth e mjel ne

kjo jetë.