Krijimtari

Rruga nga e cila nuk duhet shkuar - Nga Artan Gjyzel Hasani

çdo ditë kaloj në rrugën nga e cila nuk duhet shkuar

të kërkoj ty

kurioz si avulli për vesën përtej qelqeve

frymë orkidesh mbi sende të ftohta hedhur

i pastrehë si ajri, pa adresë si era

lodër që fëmija merr vjedhurazi në shtëpinë e një tjetri

dhe më vonë harron ku e ka fshehur…

prift i vetes me veladon të grisur

nga qentë që ndërgjegja lëshoi mbi mua

fallsifikues amator i shpirtit tim

humbes kronik i altarëve që gjeta

në rrugën nga e cila nuk duhet shkuar…

trafik harmonie në qytetet faqekuqe

të Parajsës së ndaluar për mëkatarë si unë

oh sa të shëndetshme këto udhë të paqme

të sigurtat zaptuar nga frikacakët

të gjërat nga shpirtngushtët

por unë vuaj nga sëmundja e lirisë

jetoj në zonën e lejuar të Ferrit

dhe vazhdoj të të kërkoj ty

ose veten në rastin më të mirë

në rrugën nga e cila nuk duhet shkuar…

© artangjyzelhasani