Krijimtari

Do të përhumbem sërish në Prishtinë - Nga Erlind Sulko

Do t’i ngjis sërish këto rrugica të ngushta,

të përdredhura si flokët e Asaj.

Me një qen të lumtur dhe bishtlëvizur nga mbrapa

do e vështroj edhe qiellin e përhirtë.

Institucionet shtetërore do t’i pështyj sërish gjatë natës.

Rastësisht do takoj sesbën dikë,

anash trotuareve mbushur me makina.

Do e përshëndes çdo barnatore i gëzuar

edhe nëse dritat i ka të fikura.

Do bëhem mik i ngushtë me dikë në shesh

duke biseduar për libra të vjetër dhe birrën e Pejës.

Të dielën do pi dhallë të ftohtë tek një byrektore

pasi të falem tek Katedralja e Nënë Terezës.

Qoftet e zgarës do t’i ha me epsh,

duke menduar për zjarrin dhe Hegelin.

Do t’i lexoj me kujdes shkrimet e fëmijëve nëpër mure.

Do të përhumbem sërish në këto rrugica dredha-dredha

I dehur me raki arre dhe kajsie.