Krijimtari

Zhgënjim - Nga Vangjush Ziko

U zhgënjeva kur mësova
se s' kisha lindur 
nga sqetulla e nënës,
s'më kish sjellë peshqesh
një lejlek në djep,
u rrita,
të tjera zhgënjime erdhën
siç vjen pa pritur
një rrebesh,
pyeta Zotin
pse ligësia shpërblehet
dhe mirësia përbuzet
(Zoti vetëm hesht),
zura veshët nga politikanët
dhe premtimet e tyre,
zhgënjyer endem globit, 
as loti s'më shpëton,
as grimasa e ndërkryer,
shpresa me kurorë yjesh
nëpër mjegull më shkëlqen.