Çlodhje e tymosur - Nga Vangjush Ziko

Trokiti përsëri e diela
(endacaku ebre i përjetshëm
mbuluar me pluhur
dhe djersë)
ekranet s'u lodhën së mbllaçituri
tallavatë dhe ngjarjet e javës
(nuk bëmë një herë pushim
siç bëri Zoti kur krijoi botën!),
një thinjë më shumë shtohet
si bryma e vjeshtës,
një rrudhë e re skicohet mbi fytyrë
ku do pengohet java që do nisë,
barbecue-ja kundërmon
në oborrin prapa shtëpisë
me shijen e çlodhjes së tymosur.