Krijimtari

Fëmijëria - Nga Artan Gjyzel Hasani

Fëmijëria është vasha ime e muzgut

që më rri ulur mbi buzët e syve
dhe më qorton pse u rrita aq shpejt
pa e ditur që unë akoma jam
lodra e saj e humbur…

…është pengu i pleqve me sy të butë
që e mësuan në rrugën më të vështirë
se po të ishin akoma të vegjël 
do t’i donin 
më gjatë…
më mirë…

…është e drejta legjitime e burrit të pabindur
për të tradhëtuar natën dhe dashuruar yjet
edhe kur ka një grua të bukur pranë
dhe shtepinë si vizatimet e fëmijëve
me oxhak që gjithnjë nxjerr tym
e me kanatat e dyerve mbyllur …

fëmijëria është një minorene
që nuk e puth dot në publik...