Krijimtari

Hekurat - Nga Faruk Myrtaj

Ngjizur e rritur në ajër pa-liri,

hekurash mbërthyer, filiz, në djep

s'na shpëtoi dot limfa, as dielli mbi sy,

reumatizma e prangave na përkuli, si pleq...

 

Himnesh false, lavdi shpirtrash në kryq

Çajnë eshtrat, thellë, ua fshehim syve...

Hekurat në trup, tru, në ah-et e shpirtit,

në fjalët e pa thënë, fshehur perëndive.

 

Kot na thërrisni, s'i gjendemi dot kujt

S’guxuam dot t’i gjendemi…as Vetes

As njeriut s’i kënduam, dashurisë kurrë

Ura e harqe ngjitëm, kështjella pushtetesh…

 

Mërguam nga beteja, nga fjala e jeta,

S’nderohemi dot si pleq të thinjur

S’ishim dot të rinj, as burra s’u bëmë

zëre s’kemi qenë, ende-robër, lindur…

 

Një ditë hekurat rrëzohen nga ndryshku

Do bjerë dhe trungu, tharë si eshkë

S’do bëhet lajm, pa lot limfe trungu

Zogjtë s’kthehen, ku syth s’ka, as gjeth…