Krijimtari

Artan Gjyzel Hasani: Të përkasësh do të thotë...

...të jesh bima që rrënjët brenda shkëmbit vdes

dhe jo lulja në vazo që sallonin zbukuron…

të jesh dallga që bregut formë i jep

dhe jo shkuma që mbi valën qëndron…

të jesh zjarri që gjithmonë prushin ndez

dhe jo flakë ku digjen fluturat krahëshkruar…

të jesh pëshpërima e parë cdo mëngjez

dhe jo rënkim i mbytur i natës së shkuar…

të jesh fryma e vetme që mushkëritë e tjetrit mbush

dhe jo puthja e radhës vdekur përmbi buzë…

të jesh prekja që pashmangshmërisht kërkon edhe nesër

dhe jo turbullirë e ëmbël qe shkon dhe vjen si muzë…

e vështirë të përkasësh…

e vështirë…

sigurisht të kesh dikë është shumë më e lehtë…

por vec udhëkryqet e jetës ta mësojnë më mirë

ndryshimin mes “të kesh” dhe "përket”…

(nga libri "Misioni Paranoik", 2006)