Krijimtari

Çafka - Fabul nga Vangjush Saro

Një Çafkë e vogël

dhe e lehtë,

në krah i rrinte Pelikanit

(teksa vërvitej nëpër det,

për ndonjë peshk shejtani).

Dikur e mërziti zogun e madh

prania e Çafkës imcake,

prandaj dhe klithi gjithë inat:

-M’u hiq andej, moj torrollake,

se si i thonë, më flet në dorë,

edhe dal huq pastaj...

Tha Çafka e shkretë si në faj:

-O mik, unë thjesht po bëj roje

dhe frymën veç pezull e mbaj,

me shpresë se diç do teprojë.

Si të ta them disi më bukur,

unë nën hijen tënde ha bukën...

(nga libri “Trumcaku ftillon Ferrën” - ERIK Botime, 2014)