Krijimtari

Udhëtoj për në Shtëpi - Nga Vangjush Ziko

I palosa krahët

si pëllumbi i Noes

pas shtegtimit

(sozinë prej duralumini

e lashë në aeroport

tok me paqen time).

Kam hipur Jeep-sin

(arushën e skërkave).

Udhëtoj duke u kruar

pas shkëmbinjsh dhe ferrash

mbështjellë me trishtimin e maleve

që i kanë kthyer shpinën diellit.

Udhëtoj drejt djepit të gurtë

mbuluar me hithra të reja

ku flenë ëndrra

që nuk ditkan të zgjohen.